Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë vendim për uljen e shtesave të pensioneve për 20 euro në krahasim me tre muajt e fundit. Kjo u bë e ditur dje gjatë mbledhjes së Qeverisë
Në janar të këtij viti, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte vendosur të paguante 30 euro shtesë mbi pensionin bazë për pensionistët. Tani e tutje, përfituesit e skemës së pensioneve do të marrin vetëm 10 euro shtesa mbi pensionin bazë nën vlerën prej 100 eurove, raporton Gazeta Online “Reporteri.net”.
E ky vendim i ekzekutivit po kritikohet në masë të madhe nga partitë opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një konference për medie, ka kërkuar nga Qeveria që ta anulojë këtë vendim.
“Në bazë të premtimeve për barazi sociale, për mirëqenie sociale ka ardhur në pushtet në të kundërtën ka rrezikuar kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë, ka segmente të tjera ku u qeveria mund të kursehet në pjesën lluksoze që e ka quajtur vet VV, por jo te kategoria që janë më të rrezikuar në shoqëri”, ka thënë Isufi.
Kritika rreth këtij vendimi erdhën edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, teksa ka kritikuar Qeverinë për ulje të pensioneve, këtë vendim e quan skandaloz, të papranueshëm dhe nëpërkëmbës. Kritika Hoxhaj pati edhe për zvogëlimin e shtesave për mjekët e infermierët.
“Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe. Pritja nga qeveria për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike, shëndetësore e sociale për qytetarët të goditur nga pandemia, e konkretisht për mjekët, punëtorët shëndetësorë e të moshuarit – përkundrazi u kthy kundër tyre duke përgjysmuar shtesat financiare. Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kritika patën për zvogëlimin e shtesave për punëtorët shëndetësor. Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se pas një viti plot me rreziqe e sakrifice, shteti në vend se të shpërblejë heronjtë, po ua shkurton shtesat.
Sipas tij, zvogëlimi i përkrahjes për personelin shëndetësorë, tregon fytyrën e vërtetë të Qeverisë.
“Pas një viti në vijën e parë të betejës me virusin vdekjeprurës, një vit plot rreziqe e sakrificë, pa gjumë e pa familje, pa pushime e pa festa, shteti ynë, heronjtë e vet, në vend se t’i shpërblej, ua shkurton shtesat e merituara. Zvogëlimi i përkrahjes për personelin shëndetësorë, heronjtë e ditëve tona, tregon fytyrën e vërtetë të Qeverisë ndaj më meritorëve. Hap prapa në shëndetësi, sikur të çdo ditë të kësaj Qeverie”, ka shtuar ai.
Kujtojmë që më 10 gusht të vitit të kaluar, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se deri në përfundim të pandemisë, punonjësve shëndetësor do të ju paguhen shtesa deri në 300 euro në muaj, bazuar në kategorizimin e bërë sipas rrezikshmërisë së drejtpërdrejtë nga virusi Covid-19.