×
  • Lajme
  • Lajme

    Viktimat në rastin “Kleçka” implikohen në aktakuzën kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 16:37

    Prokuroria Speciale në Hagë ka publikuar emrat e mbi 70 viktimave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ku pas këtyre akteve, kjo prokurori po pretendon se po qëndrojnë ish-krerët e luftës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Dhjetë emra përmenden si viktima të pretenduara në Komunën e Lipjanit ku 3 prej tyre shqiptarë dhe 7 serbë, Arben Avdyli, Ymer Xhafiqi, Sherafedin Ajeti si dhe Veljko Markovic, Nedosja Duricic, Bojan Cvetkovic, Zarko Filipovic, Dragoljub Tanaskovic, Zivota Todorovic, Dragan Vucetic.

    Këta emra, përveç Ymer Xhafiqit dhe Sherafedin Ajetit, ishin të përfshirë si viktima edhe në procesin penal që njihej si rasti “Kleçka”.

    Dragoljub Tanaskoviq, Zharki Filipoviq, Zhvota Todoroviq, Dragan Vuçetiq dhe Bojan Cvetkovq, ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë, ndërsa Veljko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq, ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre kanë qenë të varrosur në lokacionin KEQ01, në fshatin Kleçkë.

    Ndryshe, aktakuza në rastin Kleçka, ishte mbështetur mbi dëshmitë e Agim Zogaj, i cili ishte njohur si dëshmitari X. Zogaj kishte deklaruar se Arben Avdyli ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë. Ai në shtator të vitit 2011, kishe kryer vetëvrasje në Gjermani.

    Lidhur me këtë rast, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtae të Kosovës, ishin të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës së 1999.

    Aktakuza kundër Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij ishte konfirmuar më 2 shtator 2011, ndërsa, Shrafedin Ajeti ishte vrarë në Kleçkë në vitin 1999.

    Pas përfundimit të procesit gjyqësor, më 30 mars të vitit 2012, gjashtë nga të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm: Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

    Më 2 maj, të po të njëjtit vit, u shpallen të pafajshëm edhe Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.

    Skandal dhe poshtërsi të radhës e ka cilësuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, publikimin e emrave nga Specialja të viktimave që pretendohet se janë vrarë dhe zhdukur në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!