×
  • Lajme
  • Lajme

    Viti 1995, hulumtim i New York Times: Shqipëria furnizon Serbinë me naftë për makinerinë ushtarake

    Reporteri
    30 Maj 2019 | 11:06

    Një betejë publike fjalësh me akuza të rënda po zhvillohet kohëve të fundit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish presidentit dhe ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.


    Thaçi po e akuzon të dytin për lidhje me Serbinë në kohën kur UCK-ja po bënte përpjekje ta largonte Serbinë nga Kosova, e Berisha po e akuzon presidentin aktual të Kosovës për lidhje me Serbinë në këtë kohë, dhe këtë sepse ai ka propozuar një korrigjim kufijsh.

    Por, çka kishte ndodhur në vitet e 90-ta në lidhje me furnizimin e Serbisë me naftë nga Shqipëria? Gazeta prestigjioze amerikane New York Times kishte sjellë një hulumtim për këtë gjë.

    Në artikullin e publikuar në prill të vitit 1995 flitet për embargon e OKB- së ndaj Jugosllavisë në fillim të viteve 90. Aty shprehet shqetësimi për furnizimin me naftë nga ana e Shqipërisë drejt Jugosllavisë. Në artikull thuhet se Shqipëria ishte shndërruar në autostradë për furnizimin me naftë të ish-Jugosllavisë, transmeton Reporteri.net.

    Artikulli potencon se si një vend me ekonominë më të varfër në Evropë, ku tregtia me naftë është burimi kryesor i të ardhurave po lufton në rrugën drejt modernizimit.

    Në vazhdim një pjesë nga artikulli u botuar më 2 prill 1995:

    Ndërkohë që partitë ndërluftuese në Bosnjë po përgatiteshin  për ofensivën e  pranverës, sasi të mëdha të karburantit, që përdoret për tanke dhe avionë luftarakë, po përhapen nëpër liqen këtu në Jugosllavi, duke shkelur kështu embargon e vendosur nga Kombet e Bashkuara.

    Ky fluks i karburantit nga ky vend i vogël (Shqipëria) drejt  Jugosllavisë filloi disa muaj më parë dhe besohet të jetë i destinuar për “makineritë luftarake serbe”, kishte theksuar një diplomat perëndimor. Përveç kësaj, miliona litra benzinë dhe naftë  kanë lëvizur në muajt e fundit nga Shqipëria drejt fqinjit të saj verior.

    Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur kanë shprehur shqetësimet e tyre ndaj qeverisë shqiptare lidhur me tregtinë, e cila sipas vëzhguesve në Evropë, thuhet se ndonjëherë ka arritur pothuajse një milion gallonë në ditë.

    Administrata e Klintonit po shqyrton mundësinë e dërgimit të një note zyrtare diplomatike, pasi ky vend në Adriatik është bërë autostrada e karburantit drejt fqinjit të saj, vijon artikulli.

    Ky është një rajon i varfër, me pak më shumë dele dhe se fshatarë, ku bagëtitë tërheqin karroca prej druri, ndërsa biçikleta është mënyrë më e zakonshme e transportit sesa automjetet.

    Në një shtrirje prej 20 kilometrash të rrugës jo të mirë që shkon përgjatë liqenit, ka të paktën 20 stacione të karburantit, tanket nëntokësore të të cilëve mund të mbajnë rreth 450.000 litra, gjersa stacione të tjera po ndërtohen.

    Ndërsa karburanti po arrin në Serbi përmes rrugëve të tjera, sidomos përgjatë Danubit, Shqipëria po furnizon më shumë se të gjitha vendet e tjera bashkë, tha Antonio Napolitano, koordinatori i sanksioneve për Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, zyra e së cilës ndodhet në Bruksel. Napolitano, një diplomat italian, kritikoi qeverinë shqiptare dhe diplomatët e huaj për këtë, kur ai ishte këtu në shkurt. Qeveria shqiptare mohon se po lejon shkeljen e sanksioneve. Në një intervistë, Presidenti shqiptar Sali Berisha tha se deklaratat e Ambasadorit Napolitano dhe Ambasadës Amerikane për nivelin e lartë të karburantit që kalon nëpër Shqipëri drejt Jugosllavisë ishin “absolutisht të pa justifikuara”. Ai tha se, kontrabanda ekziston, por jo në masë të madhe. Qeveria e tij po bën çmos për të kontrolluar kontrabandën, tha ai, duke pasur parasysh mungesën e burimeve dhe trajnimin e policisë.

    Sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndalonin dërgimin e të gjitha kategorive përveç disa kategorive të mallrave, si dhe furnizimet mjekësore dhe ushqimet, në Serbi dhe Mal të Zi, shtete përbërëse të Jugosllavisë së atëhershme. Ndalimi i importit të karburantit është një shqetësim i veçantë për shkak të përdorimit të tij ushtarak, tha Napolitano.

    Sanksionet synonin ndëshkimin e serbëve për “spastrimin etnik” dhe për refuzimin e Jugosllavisë për të njohur Kroacinë dhe Bosnjën. Karburanti vjen në Shqipëri nga kompanitë italiane dhe greke dhe hyn në Jugosllavi përmes Malit të Zi. Kufiri midis Shqipërisë dhe Malit të Zi kalon përmes liqenit. Nuk dihet saktësisht se çfarë ndodh me karburantin pas kësaj. Por diplomatët këtu  besojnë se shumica prej tij nuk qëndron në Malin e Zi.

    Ekipi ndërkombëtar i monitorimit të sanksioneve në Shqipëri, i cili përfshin amerikanët nga agjencitë doganore si dhe italianët, belgët dhe zviceranët, merr lëvdata nga diplomatët amerikanë dhe evropianë për punën e tij. Por nuk ka mandat për të ndalur tregtinë, vetëm për të monitoruar dhe raportuar për të.

    Në këtë pikë ata kanë hasur në vështirësi  për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga autoritetet shqiptare, thuhet në raportin e zyrës së Napolitanos.

    Sipas ligjit  të ri, zyrtarët shqiptarë duhet të verifikojnë se një dërgesë është destinuar për një përdorues të ligjshëm dhe më pas të njoftojë zyrtarët në vendin e transportit përpara se anija të lejohet të largohet nga porti i saj.

    Këto masa kanë funksionuar për një kohë për të zvogëluar tregtinë, por ajo është rritur përsëri, thonë monitoruesit dhe diplomatët këtu.

    Mjafton një vizitë në këtë shtet që ta kesh të qartë se masat nuk po zbatohen. Të paktën nëntë nga stacionet e benzinës që duhej të ishin mbyllur për shkak të limitit tre milje janë ende duke punuar.

    Gjatë dy javëve të para të shkurtit, në Shqipëri u importua rreth 3.5 milionë gallonë karburant, duke përfshirë 1.3 milionë litra Jet Fuel-1, tregojnë dokumentet e doganave të Shqipërisë.

    Ky vend, me madhësi të Merilendit, u mbajt i pazhvilluar gjatë katër dekadave të sundimit të ashpër komunist nga Enver Hoxha dhe është ekonomia e prapambetur në Evropë.

    Vendi ka vetëm 140,000 automjete, duke përfshirë traktorë dhe motoçikleta, si dhe makina dhe kamionë, sipas entit statistikor. Nuk ka autostradë me katër korsi në të gjithë vendin dhe rruga e vetme për qasje në aeroportin ndërkombëtar të çon mbi një urë me një korsi. Tregtia e naftës është një burimi kryesor i të ardhurave ligjore për vendin, i cili po lufton në rrugën drejt modernizimit. Autoritetet kombëtare mbledhin taksa doganore për produktet e karburantit, duke filluar nga 70 deri në 100 përqind të vlerës së tyre të deklaruar. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!