×
  • Lajme
  • Lajme / Ura e Ibrit

    Nesër në Kosovë vijnë Ndihmës Sekretari i NATO’s dhe Emisari i Gjermanisë, javën e ardhme dy kryediplomatë

    Reporteri
    28 Gusht 2024 | 19:12

    Pas vizitës së Shefit të CIA’s, që u cilësua historike, e asaj të admiralit amerikan, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar vizita tjera të rëndësishme gjatë ditëve të ardhshme në Kosovë. Kurti e pranoi se në këto takime do të diskutohet për planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.

    Nesër në Kosovë do të vijë për vizitë Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO’s, Thomas Goffus, e gjatë javës së ardhshme tha se do të jenë për vizitë dy kryediplomatë të dy shteteve anëtare të NATO’s, shkruan Reporteri.net.

    Lidhur me urën e Ibrit, Kurti tha se po bëjnë konsultimet e nevojshme.

    “Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

    Nesër në Kosovë do të qëndrojë edhe Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Pas takimeve zyrtare që do të zhvillojë këtu, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor do të deklarohet edhe para mediave.

    Në njoftimin e bërë nga Departamendi i Medias i ambasadës gjermane në Prishtinë, thuhet se Sarrazin do të deklarohet për media në ora 18:00.

    Ende nuk ka ndonjë konfirmim se më kë do të takohet.

    Ndryshe, javën e kaluar, Kosovën e vizitoi Shefi i CIA’s, Ëilliam Burns, i cili takoi Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

    Ndërkohë, dje në Kosovë ka qendruar, Admirali Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!