×
  • Lajme
  • Lajme

    Votimi në Asamble të KiE-së, ish-ambasadori amerikan Delawie: Kur do ta hiqni fusnotën e Kosovës

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 14:45

    Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Greg Delawie, ka komentuar përparimin e Kosovës drejt rrugës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Duke publikuar lajmin për votimin në Asamblenë e KiE-së, Delawie e ka shtruar një pyetje.

    Ndonëse e vlerësoi si lajm të mirë për Kosovën, ish-ambasadori amerikan pyeti se kur do të largohet fusnota në emrin e Kosovës.

    Për këtë çështje javë më parë ka folur edhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti në një intervistë për gazetën online Reporteri.net. Ahmeti ka thënë se rreziku ka qenë i përhershëm që Kosova të trajtohet me fusnotë edhe pas anëtarësimit, por tha se  Kosova  ka argumentuar intensivisht dhe në detaje pse një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.

    “Neni 17.1 i Raportit të znj. Bakoyannis rekomandon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës dhe ky është një rezultat pozitiv i një pune të gjatë që e kemi bërë që nga aplikimi. Rreziku ka qenë i përhershëm që Kosova të trajtohet me fusnotë edhe pas anëtarësimit, por ne kemi argumentuar intensivisht dhe në detaje pse një gjë e tillë nuk duhet të bëhet. Ky rekomandim përputhet plotësisht edhe me faktin që Kosova përgjatë tërë procesit trajtohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës. Pra, kur Kosova të ftohet nga Komiteti i Ministrave për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, fusnota do të mbetet vetëm një kujtim jo i mirë nga e kaluara”, ka thënë Ahmeti për Reporteri.net.

    Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi të martën raportin e Dora Bakoyanis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Pas kalimit në Asamble, Kosova tani pret rezultatin e votimit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm për t’u bërë anëtare e plotë në KiE. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!