×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e 2023’ës në Dragodan, dëshmitari thotë se para momentit kritik dëgjoi diskutime me tone të larta

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 16:35

    Në gjykimin për vrajsen në Dragodan, këtë të martë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Armend Smajli deklaroi se krismat e armës në momentin kritik të 19 marsit 2023 i kishte dëgjuar derisa ishte në linjë telefonike me Policinë.

    “Gjatë bisedës me Policinë e bëra prezentimin dhe arsyen e thirrjes, gjatë kësaj kohe i kam dëgjuar dy krisma dhe kam qenë në linjë me Policinë, të cilëve u kam thënë ‘a i dëgjuat’ dhe ata thanë ‘po’”, tha dëshmitari Smajli, i cili dëshminë e ka nisur më 4 korrik.

    Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Dëshmitari Smajli tregoi se në ditën kritike ishte ulur me vëllezërit e tij diku katër metra nga tavolina ku filloi fjalosja.

    Duke iu referuar deklarimeve paraprake lidhur me ngjarjen, Smajli përmendi se aty kishte dëgjuar diskutime me tone të larta, sipas tij, lidhur me disa banesa.

    Smajli u shpreh se në momentin kur ishte tensionuar situata, për shkaqe sigurie, bashkë me vëllezërit e tij ishte larguar nga tavolina dhe kishte telefonuar Policinë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!