×
  • Lajme
  • Lajme / "Qërim hesapesh"

    Vrasja e mbrëmshme vazhdimësi e sherrit të muajit mars mes Sekiraqëve dhe Capave – çka dihet për rastin

    Reporteri
    02 Shtator 2024 | 11:36

    Nga përleshja me armë mes dy familjeve mbrëmë në Prishtinë, Sekiraqa dhe Capat (Gashi) ka mbetur i vrarë një person. Por, rasti del të jetë vazhdimësi e një konflikti në muajin mars të këtij viti, i ndodhur pikërisht mes tyre, ku pati mbetur i plagosur një anëtar i familjes Gashi.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga Kryeprokurorit i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    “Mund të konfirmoj që janë personat po familjet e njëjta që kanë qenë edhe në një rast të muajit mars”, tha Gashi për Gazetën Online Reporteri.net.

    Personi që mbeti i vrarë mbrëmë i përket familjes së Capave, ndërsa pesë të tjetër kanë mbetur të plagosur.

    Një nga të plagosurit në konfliktin mes familjeve Sekiraqa dhe Capat(Gashi) është në gjendje stabile.

    Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Drejtori i Kardiokirurgjisë, Shpëtim Shurdhiqi.

    “Po njëri nga të plagosurit është në gjendje stabile. Është i plagosur në gjoks dhe në krahë. Aktualisht gjendja e tij është stabile dhe nuk ka nevojë për intervenim”, tha Shurdhiqi për Reporteri.net.

    Poashtu edhe dy nga të plagosurit që po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë janë në gjendje stabile.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Drejtori i kësaj klinike.

    “Aktualisht dy nga të plagosurit janë në gjendje stabile, por ata po vazhdojnë të jenë në Emergjencë për shkak të sigurisë”, tha ai për Reporteri.net.

    Gazeta Online Reporteri.net raportoi mbrëmë se në mesin e të plagosurve është edhe Salih Sekiraqa.

    Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh bëri të ditur se të plagosurit po trajtohen në QKUK dhe janë nën mbikëqyrje policore.

    “Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

    Poashtu, në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës ka gjetur edhe një armë zjarri.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!