Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me komunikatë për rastin e mbrëmshëm në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftim bëhet e ditur se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Klinikën Emergjente në QKUK.
Pesë të dyshuarit janë ndaluar nga prokuroria, ndërsa janë në kërkim edhe të dyshuarë tjerë që janë të përfshirë në përleshjen mes dy familjeve, Sekiraqëve dhe Capave, por që janë ende të paidentifikuar.
Komunikata e plotë:
Ndalohen pesë (5) të dyshuar në rastin e përleshjes me armë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë
Prishtinë, 02 Shtator 2024 – Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori kujdestar dje rreth orës 22:20, min nga Policia e Kosovës- Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë është njoftuar për një incident me armë zjarri në mes disa personave në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Zejnullah Gashi, së bashku me Prokurorin kujdestar kanë dal në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë konstatuar se në këtë rast kemi të bëjmë me një përleshje në mes dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme, ku si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të dyshuar tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës si dhe janë kryer veprimet hetimore nga Njësia e Forenzikës. Po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia.
Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të pa identifikuar.
/Reporteri.net/