×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiç: Kurti beson se do të ketë sukses me zëvendësimin e targave

    Reporteri
    30 Gusht 2022 | 11:45
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

    Nuk shoh se si do të mund të zgjidhim çështjen e targave me Kosovën para 1 shtatorit, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Kosova, sipas tij, nuk dëshiron të bisedojë racionalisht e as të gjejë zgjidhje kompromisi.

    “Mbase jam vetëm unë, e mbase evropianët e dinë më mirë”, tha presidenti serb.

    “Nuk mendoj se [Albin Kurti] do të ketë shumë sukses në këtë”, tha ai duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar targat ilegale të MPB-së serbe për veturat në pjesën veriore të vendit.

    “Edhe pse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel tha se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar të zëvendësojnë targat e veturave”, vazhdoi ai.

    Aleksandër Vuçiç tha se “do ta shohim” si ecin gjërat, derisa shtoi se kjo gjë “është një proces që do të zgjasë”.

    “Nuk ka shans ta zgjidhim para 1 shtatorit”, tha Vuçiç, përcjell Reporteri.net.

    Presidenti serb tha se mbetet të shihet nëse do të ketë ndryshime pas samitit të vendeve të Ballkanit dhe vizitës së presidentit turk, Erdogan.

    Por se, njëherë për njëherë, Vuçiç tha se nuk ka asnjë mundësi për progres.

    Aleksandar Vuçiç përsëriti frazat e kahershme se Serbia qëndron në linjë me ligjin ndërkombëtar.

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndalojë targat ilegale “KM, PZ, etj” që lëshohen nga institucionet e Serbisë për serbët në pjesën veriore të Kosovës.

    Kurti është shprehur kategorik që targat e mbetura që nga regjimi i Slobodan Millosheviçit të ndalohen në Kosovë, dhe ato të konvertohen në targa RKS të Republikës së Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!