“Kroacia po bën atë çfarë ka bërë qe 81 vite ndaj Serbisë”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, referuar raportimeve se Kroacia ka këmbëngulur që në sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë të mos përjashtohet ndalimi i importit të naftës ruse edhe në Ballkanin Perëndimor, e që në rend të parë godet Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Për këtë gjë, presidenti serb shkroi në llogarinë në Instagram se ndaj Kroacisë “do të përgjigjemi në mënyrë serioze, të përgjegjshme, por edhe strategjikisht”.
“I falënderoj fqinjt tanë kroatë që dëshmuan për herën e kushedisatë se çfarë i dëshirojnë vendit dhe popullit tonë”, shkroi Aleksandar Vuçiç.
“Kam informacione se ky vendim është marrë shumë më herët, dhe ne kemi kërkuar që Ballkani Perëndimor të përbëjë përjashtim, dhe në draft ashtu edhe supozohej të ishte. Pastaj fqinjt tanë u mburrën se ishin përgjegjës për faktin që të mos ketë shmangie nga ajo normë për vendosjen e përgjithshme të sanksioneve në importimin e naftës ruse”, tha ai.
Vende si Hungaria dhe Bullgaria janë përjashtuar nga kjo masë, vazhdoi Vuçiç, “por Serbia jo”, dhe shtoi se “Kroacia po bën atë çfarë ka qenë duke bërë me dekada”.
“Neve na mbetet të gjejmë përgjigje për në të ardhmen. Njerëzit e bënë deklaratën time sikur unë kam thënë se Kroacia ishte për t’u fajësuar, prandaj po bëjnë punën tyre, krejt çfarë kanë bërë për 81 vite”, u shpreh presidenti serb.
Kohëve në vijim, vazhdoi ai, “do të flasë për vendime të rëndësisë së madhe”.
Bashkimi Evropian u dakordua për pakon e tetë të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, dhe njëra prej pikave është shënjestrimi i importeve të naftës ruse, shkruan gazeta online Reporteri.net.
E përditshmja beogradase “Novosti” e afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, thotë se “ka mësuar” se me insistimin e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, Serbisë do t’i pamundësohet importimi i naftës ruse.
Ky tabloid, thotë se “pritet përgjigje e ashpër nga Vuçiç”.
Ndonëse burime diplomatike nga Brukseli, siç raportoi Radio Evropa e Lirë para disa ditësh, thanë se do të mundësohej “një përjashtim” për Ballkanin Perëndimor për naftën ruse, mediat e afërta me Vuçiç thonë se “këmbëngulësia” kroate ka bërë që kjo të ndryshojë.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, ka “konfirmuar” raportimet e këtij tabloidi, duke thënë se Kroacia ndërmorri “veprim të hapur armiqësie” ndaj Serbisë.
“Ky vendim ndryshoi gjithçka. Deri dje, mendoja se Vuçiç do të shkonte në Pragë nën presion dhe zjarr, dhe sot, pas këtij vendimi të tuprshëm insistues të Kroacisë, Vuçiç do të përgjigjet vrullshëm, sot do të shohin se kush është Vuçiç dhe sa i fortë dhe i vendosur është, ai do t’ua tregoj turpin”, ka thënë Ana Bërnabiç.
“Nuk mendoj se e kanë parë një Vuçiç të tillë deri më tani”, ka theksuar.
Ditë më parë, kryeministri kroat ka thënë se Serbisë duhet t’i pezullohen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa as pas shtatë muajsh që nga agresioni brutal rus mbi Ukrainën, Serbia nuk është bashkërenduar me BE-në në sanksionet ndaj Federatës Ruse.
Përjashtimin e Serbi nga negociatat, Plenkoviç e ka quajtur “gjë të logjikshme”, dhe se “në një kohë kur qartë shihet e mira dhe e keqja, nuk mund të ulesh në dy karrige më”.
Serbia, sektorin e saj të energjisë, e ka në masën më të madhe të varur nga Federata Ruse, e cila është edhe njëra nga arsyet që ata përdorin për të justifikuar mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë./Reporteri.net/
Kryeministri kroat i prerë ndaj Vuçiç: “Naftë mund të merrni çfarëdo, përveç ruse”