“Sigurisht që do të marshojmë më 17 shtator edhe nëse nuk marrim një vendim pozitiv nga MPB-ja [serbe] apo shteti”, tha për Radion Evropa e lirë në gjuhën serbe, Goran Miletiç, një nga organizatorët e “Europride 2022” në Beograd.
Organizatorët e Paradës së Krenarisë në kuadër të Europride në Beograd i dërguan një apel Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë kundër vendimit për ndalimin e paradës.
Afati për marrjen e vendimit për këtë ankesë skadon pasditen e së mërkurës.
“Meqenëse vendimi merret nga i njëjti organ, unë nuk jam optimist”, tha Miletiç për REL-in.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka ndaluar Paradën e Krenarisë, e cila ishte planifikuar për 17 shtator.
Më 13 shtator kjo ministri deklaroi se nuk do të lejonte as një shëtitje të organizuar nga grupi informal i djathtë “Antiglobalistët”.
MPB-ja serbe ka bërë të ditur se pas vlerësimit të sigurisë është konstatuar se ekziston rrezik i lartë që të rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në të dyja shëtitjet në linjat e paralajmëruara, si dhe siguria e qytetarëve të tjerë.
Nëse Ministria e Brendshme ruan ndalimin, organizatorët kanë mundësi të bëjnë ankim në Gjykatën Administrative.
Por Miletiç thotë se pyetja është nëse Gjykata Administrative do të merrte një vendim para datës 17 shtator.
Ai po ashtu tha se ekziston një opsion për ndryshimin e itinerarit, por se para kësaj duhen marrëveshje të sakta.
“Nuk e kemi këtë në tavolinë për momentin, nuk kemi dorëzuar aplikacion të ri për një itinerar të ri, presim të shohim se si do të jetë reagimi ndaj ankesës”, shpjegoi Miletiç.
Bilçik shpreson që shëtitja të mbahet
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, tha për N1 se është për keqardhje që në këtë moment nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë të shtunën.
“Megjithatë, unë shoh dritën në fund të tunelit. Rruga është e ndaluar, shëtitja nuk është e ndaluar. Është gjithashtu e rëndësishme që shteti ndaloi edhe protestën e kundërshtarëve të Krenarisë, dhe ky është një lajm i mirë. Pra, Java e Krenarisë vazhdon, ngjarje të shumta, pyetja e vetme që ka mbetur është rruga e shëtitjes të shtunën”, tha Bilçik.
Ai njoftoi se planifikon të jetë në Beograd të shtunën.
“Si shumë kolegë deputetë, njerëz nga Komisioni Evropian dhe institucionet. Kjo nuk është vetëm një ngjarje në Serbi. Ky është ngjarja e parë e madhe Europride në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Ky është një shans për Serbinë që të tregohet si një vend që është e përkushtuar për të mbrojtur vlerat evropiane dhe për të festuar diversitetin”, tha Bilçik.