Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në forumin ndërkombëtar “GlobSec” që është duke u zhvilluar në Bratislavë, ka thënë se nuk mund të arrihet një marrëveshje duke kërkuar që së pari Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë se gjërat nuk funksionojnë kështu, duke shtuar se duhet të arrihet një marrëveshje, ku të dy palët do të jenë të lumtura, transmeton Klan Kosova.
“Arsyeja e vetme që ne jemi mbledhur në këtë forum është për ta diskutuar çështjen se ku do të bëhet ndarja e Kosovës ose korrigjimi i kufirit (çfarëdo që e quani). Është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje midis dy vendeve për hir të njerëzve”.
“Është mirë që Rusia, Gjermania apo Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mirëpo është më e rëndësishme që të arrijmë një marrëveshje të mundshme për njerëzit tanë”.
“Deri më tani nuk kemi arritur marrëveshje. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ne nuk do të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje të mundshme”.
“Problemi është se para se të fillonim negociatat, ne jemi penguar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Gjithashtu, sipas Hashim Thaçit, e gjithë Kosova i takon Kosovës dhe sipas kushtetutës serbe, Kosova i përket Serbisë. E gjithë bota është e ndarë rreth kësaj çështjeje”