×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiqi takohet me ministrin shqiptar, bisedojnë për “mini-Schengenin” e forcimin e fqinjësisë

    Reporteri
    18 Shkurt 2021 | 15:37

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot në një bisedë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve janë të një rëndësie të madhe për të gjithë rajonin dhe theksoi “mini-Schengenin” si shembull i suksesshëm i bashkëpunimit.


    Vuçiq veçoi gjithashtu rëndësinë e memorandumit të nënshkruar nga Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria, i cili mundëson ndihmë të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sistemeve të tyre shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit serb, raporton Tanjug, transmeton Express.

    Ai bisedoi me Osmanin për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve përmes dialogut, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën evropiane.

    Vuçiq përmendi projekte konkrete që do të kontribuonin në lidhje më të mirë dhe bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve, siç janë modernizimi i hekurudhës për në Shkup dhe forcimi i infrastrukturës në pikat kufitare.

    Osmani e falënderoi presidentin serb për dhurimin e vaksinave, të cilat Vuçiq ia dorëzoi kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev të dielën dhe që mundësoi fillimin e vaksinimit të qytetarëve të Maqedonisë Veriore.

    Vuçiq gjithashtu tha se Serbia mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

    Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për përmirësimin e pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasve në Serbi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!