×
  • Lajme
  • Lajme

    VV as nuk mori leje e as nuk e paralajmëroi tubimin e djeshëm, policia kërkon të respektohen ligjet

    Reporteri
    13 Maj 2020 | 16:51

    Policia e Kosovës ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare për tubimin e djeshëm të VV-së në sheshin e Prishtinës.


    Aty thuhet se për mbajtjen e tubimeve publike, duhet të respektohet legjislacioni në fuqi për tubimet publike, përfshirë marrjen e lejeve nga autoritetet kompetente

    “Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit”, ka thënë Policia e Kosovës.

    “Për shkak të gjendjes së krijuar në vendin tonë nga pandemia COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në konsultim me Institutin Kombëtar për shëndet publik kanë vendosur disa masa mbrojtëse dhe kufizim të lëvizjes për banorët e Kosovës. Duke u bazuar në këto vendime organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri (2 metra) si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar ( dy herë nga 90 min, i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit)”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

    Sidoqoftë, policia nuk ka treguar nëse pjesëmarrësit në protestën e VV-së, kanë pasur apo jo leje të lëvizjes, ashtu siç i kanë shpjeguar rregullat në komunikatën e tyre.

    Postimi i plotë:

    Policia e Kosovës me qëllim të informimit të opinionit publik, lidhur me mbajtjen e tubimeve publike dhe protestave, njofton se ato duhet të organizohen në pajtim me ligjin mbi tubimet publike, përfshirë marrjen e lejeve nga autoritetet kompetente dhe njoftimin e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

    Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit.

    Ligji për tubimet publike përcakton se lajmërimi i tubimeve publike duhet të bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik.

    Legjislacioni në fuqi rregullon çështjen e mbajtjes së tubimeve publike, duke përcaktuar edhe kufizime apo ndalesat, nëse tubimet publike rrezikojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, sa i përket lirisë, dhe të drejtave të njerëzve të tjerë, moralit dhe shëndetit publik.

    Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.

    Për shkak të gjendjes së krijuar në vendin tonë nga pandemia COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në konsultim me Institutin Kombëtar për shëndet publik kanë vendosur disa masa mbrojtëse dhe kufizim të lëvizjes për banorët e Kosovës. Duke u bazuar në këto vendime organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri (2 metra) si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar ( dy herë nga 90 min, i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit).

    Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar, ka për qëllim ti informojë opinionin publik, që përveç rolit në zbatimin e ligjit, në funksion ka për implementim planin e gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it të ri COVID-19, që parasheh masa shtesë në interes të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!