×
  • Lajme
  • Lajme

    VV e PDK i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes Osmani për takim, LDK e AAK ende të pavendosura

    Reporteri
    11 Shtator 2021 | 18:22

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përmes një letre drejtuar presidentes, Vjosa Osmani, ka rekomanduar që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve lokale për shkak të situatës së krijuar me pandeminë që shkakton infeksioni COVID-19.


    Në bazë të këtij rekomandimi, presidentja Osmani u ka dërguar ftesë partive politike për një takim konsultativ i cili pritet të mbahet të hënën, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    E kësaj ftese deri më tani i janë përgjigjur pozitivisht vetëm dy nga subjektet politike.

    Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo e cila e para ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin konsultativ me presidenten, duke thënë se kjo parti asnjëherë nuk i është shmangur takimeve institucionale.

    “PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë zëdhënësi Faton Abdullahu për EO.

    E menjëherë pas saj, pjesëmarrjen e konfirmuan edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sekretari për Media dhe Komunikim në LVV, Arlind Manxhuka, ka thënë për Telegrafin se janë të gatshëm të shkojnë në takim.

    “Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.

    Por ende të pavendosura ndaj ftesës së presidentes, janë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se të hënën do të vendosin nëse do marrin pjesë në takim apo jo.

    “Nuk kemi vendosur ende. Jemi duke e diskutuar në strukturat e Alenacës dhe të hënën paradite do të vendosim nëse do të shkojmë apo jo.”, tha Lekaj për Reporteri.net.

    Ndërsa zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se tani për tani nuk mund të përgjigjet lidhur me këtë çështje.

    “Nuk mund të them asgjë, jemi në takim. Më telefono pas një ore”, tha Halimi.

    Por ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili reagoi pas këtij rekomandimi të IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka akuzuar IKSHPK-në se u shndërrua në instrument të pushtetit.

    “IKSHPK u shndërrua sot në instrument të pushtetit – dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese”, ka shkruar ai.

    Sipas kreut të LDK-së, rekomandimi i IKSHPK-së u dha me porosi ashtu siç po i duhet pushtetit.

    Ndryshe në ftesën e Osmanit dërguar partive politike, thuhej se takimi do të mbahet për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!