×
  • Lajme
  • Lajme

    VV nuk e kalon një ditë pa u marrë me Thaçin, sot dërgoi në Kushtetuese komentet për thirrjen e tij për mosrespektim të masave të qeverisë për pandeminë

    Reporteri
    06 Maj 2020 | 12:58

    Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar sot komentet në Gjykatë Kushtetuese, për lëndën që pretendon se presidenti Thaçi ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi kishte bërë thirrje që të mos respektohen masat e vendosura nga Qeveria për kufizim të lëvizjes së qytetarëve shkaku i pandemisë.


    Nëse këtë pretendim të VV’së e vërteton si të mirëqenë Gjykata Kushtetuese, atëherë mund edhe të iniciohet procedurë për shkarkimin e Presidentit.

    Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre muajve të qeverisjes, duket se nuk ka kaluar ditë pa u marrë me presidentin Thaçi.

    Edhe pse Gjykata Kushtetuese masat për kufizim të lirisë së lëvizjes për qytetarët i kishte cilësuar si antikushtetuese, VV pretendon se thirrja që presidenti bëri në një konferencë për media për mosrespektimin e tyre përbën shkelje të rëndë kushtetuese.

    Lexoni të plotë njoftimin e VV’së:

    Dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese përgjigjet për shkeljet e rënda të Presidentit

    Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka dorëzuar me 5 maj, në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ato janë përgjigje ndaj komenteve të Presidentit Thaçi për shkeljen e rëndë, rrjedhimisht veprimet e tij antikushtetuese të datës 23 mars 2020.

    Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë.

    Vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut.

    Me këtë rast, Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatoj antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!