Ka reaguar edhe gazetarja Arbana Xharra pas publikimit të fotos nga deputetja Flora Brovina, ku shihet një shqiptare duke u dhunuar nga ushtarët serbë.
Ajo ka një mesazh për gratë e dhunuara, duke kërkuar prej tyre mos t’i lejojnë politikanët t’i shfrytëzojnë për qëllime politike, pasi thotë se janë të njëjtit që kanë votuar kundër projektligjit për mbrojtjen e tyre.
“Duke nisë prej Vasfijes e cila pati guximin të flas, e të gjitha gratë që përjetuan tmerrin e dhunimit gjatë luftës, kam një mesazh, mos i lejoni politikanët të ju shfrytëzojnë për qëllime politike. Është kjo skenë politike që votuan kundër projektligjit për mbrojtjen tuaj”, shkruan Xharra në Facebook, shkruan Reporteri.net.
Ajo u thotë se dyert e Kongresit Amerikan, ku u rrëfye ditë më parë Vasfije Krasniqi-Goodman poashtu e dhunuar nga forcat serbe në luftën e fundit janë të hapura për të gjitha grate e dhunuara.
“Aty ku zëri juaj duhet të dëgjohet janë hapur dyert; në Kongresin Amerikan. Zëri i Vasfijes bëri që të rikthehet vëmendje tek krimet e Serbisë ndaj 20 mijë grave shqiptare”, thotë Xharra.
Ajo më tej jep arsyen pse u vonuan politikanët për t’u marrë me këtë çështje tejet të ndjeshme.
“Kosova u vonua 20 vjet sepse politikanët vrapuan pas pasurimit. Krimet nuk vjetrohen por duhet iniciativa konkrete për të kërkuar drejtësi e jo spektakël medial!”, ka shkruar Xharra.
Kurse në një status tjetër të shkruar poashtu në Facebook, ajo thotë se nuk duhet të bëhet tregti me viktima.
“Mos e komercializoni dhimbjen, nuk bëhet tregti me viktima!”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se ndaj fotos së publikuar nga Brovina, reagoi ish-presidentja Atifete Jahjaha dhe organizatat që mbrojnë gratë, por jo vetëm.
Por Brovina deklaroi se foton e ka publikuar me leje të vet viktimës dhe nënës së saj. /Reporteri.net/.