Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë pas mesnate në Serbi. Ngjarja ka ndodhur në Loznica, afër kufirit me Bosnjën. Serbia pretendon se autori i vrasjes është një kosovar. Një kërkim masiv është duke vazhduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Policia Serbe ka shpallur në kërkim si të dyshuar për rastin, Artan Hajrizi, shtetas i Kosovës. Siç u bë e ditur në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit në të, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë me të njëjtin identitet.
Vet Artani ka mohuar se ka gisht në këtë rast. Ai ka thënë se ndodhet në Gjermani dhe se i janë vjedhur dokumentet personale.
Ndërkohë në pranga është vënë shoferi i veturës në të cilën autori ndodhej.
Sipas mediave në Serbi, i arrestuari është Mithat Haxhiq nga Tutini, i cili, sipas këtij raportimi, dyshohet se e ka marrë të dyshuarin në një veturë me targa të Tutinit në Preshevë dhe e ka vozitur në drejtim të Loznicës.
Ndërkohë, mediat në Bosnjë dhe Hercegovinë raportojnë se në Bijelinë të Republikës Serbe është arrestuar një person, i cili dyshohet se është i lidhur me rastin e vrasjes polici në Serbi dhe plagosjen rëndë të një tjetri.
Sipas këtij raportimi, arrestimi i tij është bërë në rrugën Raçanska në Bijelinë, e cila paraprakisht është bllokuar nga policia dhe po kontrollohet çdo lëvizje.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, masat e sigurisë janë shtuar për shkak të frikës se autori mund të kalojë kufirin, raportuan paraprakisht mediat boshnjake.
Sipas njoftimit, në kërkim përveç policëve të këtyre dy zonave janë përfshirë edhe pjesëtarë të njësiteve të xhandarmërisë./Reporteri.net/
Mediat boshnjake: Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e policit serb në Loznicë