Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, takim ky që erdhi pas rritjes së madhe të rasteve në kryeqytet.
Zemaj ka thënë se në këtë takim është diskutuar për menaxhim më të mirë të situatës, mbi të gjitha për vigjilencë dhe mbikëqyrjeje.
Ai ka thënë se rritja e numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e papërgjegjësisë individuale, teksa në këtë aspekt ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet askush pa marrë parasysh pozitën që e ka në shoqëri, shkruan Reporteri.
Ai është shprehur se Kosova akoma është në zonën e gjelbërt, mirëpo është në limitet e saj për të kaluar në zonën e portokalltë.
“Kemi ndjekë një politikë të përbashkët për luftimin e pandemisë, po vazhdojmë me këtë dinamikë, veçanërisht me Prishtinën ku ditëve të fundit është rritur numri i rasteve, Biseduam për menaxhim më të mirë të situatës, mbi të gjitha për vigjilencë dhe mbikëqyrjeje. Janë dy elemente të përgatitjes, shtimi i mbikëqyrjes, koordinimi më i mirë por edhe llogaridhënia për të gjithë neve. Mbajtja e maskës është kushti themelor që të vazhdojmë luftimin e pandemisë, Edhe sot jemi ndër 5 vendet me menaxhimin më të mirë, akoma jemi në zonën e gjelbërit, jemi në limitet për të hyrë në zonën e portokalltë. Do të intervenojmë ku është nevoja, do të ketë sanksione për ata që nuk i respektojnë masat. Rritja e numrit këtyre ditëve është si pasojë e mosrespektimit të masave, mosdiciplina nuk i takon askujt pa marrë parasysh pozitën që ka në shoqëri. Dje kemi pasë një rast i vdekjes i vitit 1933, nuk është person që lëviz në qytet por virusin dikush ia ka dërguar te shpia”, u shpreh ndër të tjera Zemaj.
Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Komuna nuk është e interesuar për karantinë e restriksione shtesë, mirëpo ka përsëritur se se nëse nuk respektohen masat mund të detyrohen të shkojnë drejt një vendimi të tillë.
“Qëllimi i takimit është që të punojmë bashkë që të mos ketë restriksione shtesë, nuk jemi të interesuar ta bëjmë karantinën, ta reduktojmë orarin, por kjo varet vetëm nëse jemi në koordinim me qytetarët. Është një krizë e re që ka ardhë në Evropë që ka me i dërgu drejt mbylljes, krejt Evropa është kah shkon nga mbyllja. Dje e pardje kemi shtim të rasteve dhe jemi të brengosur. U kishim lutë të punojmë bashkë, mos të na detyrojnë që tash të bëhemi më inspektorë se inspektorat. Mos ta detyrojmë Ministrinë që të kemi restriksione shtesë, nuk jemi të interesuar për këtë. Ju lus të na dëgjoni që ta kalojmë këtë krizë”, u shpreh Ahmeti. /Reporteri.net