×
  • Lajme
  • Lajme

    Zemaj: Statistikat e largimit të infermierëve nga Kosova përbëjnë alarm

    Reporteri
    28 Korrik 2024 | 11:20

    Për ish-ministrin e Shëndetësisë, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e LDK-së, Armend Zemajn, statistikat e ikjes së infermierëve nga Kosova janë tmerruese.

    Ai ka deklaruar se largimi masiv i profesionistëve shëndetësor është alarm.

    “Shifra të tilla të largimit të infermierëve janë me të vërtetë tmerruese, d.m.th. ka kaluar vetëm gjysma e vitit dhe kemi ketë interesim kaq të lartë të ikjes së infermierëve, nuk do të quaje shqetësim por ALARM, zhurma e të cilit po has në vesh të shurdhër”, theksoi Zemaj për FrontOnline.

    Deputeti Zemaj ka radhitur disa nga arsyen që infermierët po largohen nga vendi.

    “Ka shumë arsye, pasiguria për zhvillimin e karrierës, mungesa e mundësive për avansimin e njohurive, pagat e vogla, mos pagesa e orëve shtesë, ambienti toksik dhe trajtimi i padinjitetshëm në vendin e punës”, u shpreh ai.

    Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë muaj më parë kanë thënë për Front Online se është duke punuar që të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor.

    “Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore, në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave më qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja’’, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!