×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjedhja e presidentit: Grupi Parlamentar Multietnik konfirmojnë pjesëmarrjen në votimin për Vjosa Osmanin presidente

    Reporteri
    01 Prill 2021 | 12:29

    Dita e nesërme 2 prilli dhe e marta 6 prilli janë përmendur si data të mundshme për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.


    Megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare. Ajo që dihet për momentin është se nesër do të mbahet seancën për formimin e komisioneve parlamentare dhe zëvendësimin e deputetëve.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që u mbajt këtë javë, Mimoza Kusari-Lila, ushtruese në detyrë e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, pati deklaruar se seanca për presidentin do të mbahet pas seancës për caktimin e komisioneve, por pa saktësuar qartë nëse të premten apo ndonjë ditë tjetër.

    “Seanca e radhës do të mbahet të premten në ora 10:00 ku do të bëhet votimi i komisioneve. Të premten bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe pastaj votimi i Presidentes bëhet në seancë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Kusari-Lila.

    Se seanca për presidentin do të mbahet sapo të bëhet zëvendësimi i deputetëve që tashmë janë bërë ministra.

    “Posa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që janë bërë ministra, do të mund të thërrasim një seancë të radhës, në të cilën padyshim sigurt atë që e votoj populli me 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me votat e nevojshme në Kuvend”, kishte deklaruar Kryeministri Albin Kurti ditë më parë.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do të qëndrojë në Kuvend kur do të zgjidhet presidenti, ndonëse nuk dihet saktë nëse do të jenë 15 votat e LDK-së, kur dihen raportet e kandidates për presidente Vjosa Osmani, me deputetet e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj.

    Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka pyetur Grupin Parlamentar Multietnik nëse kanë ndonjë kushtëzim që të japin votën e tyre pro Vjosa Osmanit presidente.

    “Jo nuk kemi asnjë kushtëzim për zgjedhjen e presidentit të vendit”, ka thënë Enis Kervan, shef i Grupit Parlamentar Multietnik për Reporteri.net.

    Për dallim prej këtij grupi parlamentar, ende i pavendosur nëse do ta votojë apo jo Osmanin për presidente është Adem Hoxha deputet nga partia e goranëve.

    Burime të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ brenda partisë së Hoxhës kanë thënë se ai është i pavendosur, pasi ende nuk ka marrë përgjigje për kërkesat që ia ka bërë Albin Kurtit e Vjosa Osmanit në takimin me ta.

    Hoxha në një intervistë dhënë ditë më parë për Reporteri.net kishte kërkuar nga Qeveria Kurti më krijimi e më shumë mekanizmave përkatëse që përforcojnë lidhjet me diasporën, si dhe të ndihmohen goranët që jetojnë në Kosovë pasi sipas tij kanë shumë halle ekonomike.

    Për të qenë votimi i suksesshëm në kuti të votimit duhet të jenë 81 vota të deputetëve, kurse për t’u zgjedhur në raundin e parë duhet po 81, kurse në raundet e tjera mundet dhe me 61 vota.

    Lëvizja Vetëvendosje i ka 58 vota që pritet të jenë të sigurta, LDK ka 15 vota, por nuk dihet nëse të gjithë deputetët do të japin votën për, kurse grupi Multientik i Minoriteteve i ka 8 vota dhe kanë konfirmuar “PO”-në.

    PDK i ka 19 vota, AAK 10, kurse Lista Serbe 10 dhe kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Osmanin për Presidente. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!