Në përmbyllje të fushatës elektorale, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dërguar një mesazh qytetarëve, duke i ftuar të angazhohen për të ardhmen e vendit.
“Kjo nuk ishte vetëm një fushatë. Kjo është ftesë për t’u ngritur, për t’u bashkuar dhe për t’u kthyer te arsyeshmëria, te maturia, te shteti dhe te shpresa,” tha Abdixhiku. Ai shtoi se ky është momenti për të ndalur rënien dhe për të mbyllur kapitullin e krizës, duke hapur rrugën drejt një Republike që funksionon dhe një Kosove që ecën drejt perëndimit.
Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të përdorin votën si një mjet për të vendosur për të ardhmen e vendit. “Secili prej jush do ta ketë në dorë një fletë. Mund të duket e vogël, por aty brenda është e shkruar e ardhmja e këtij vendi. Në atë fletë, zgjidhni tri shkronja të arta – LDK, shpresën e parë dhe të fundit të Kosovës. Zgjidhni numrin 123 dhe kandidatët tanë nga kjo listë fituese. Mbi të gjitha, zgjidhni shpresën,” theksoi ai.
Kryetari i LDK-së përfundoi mesazhin duke rikujtuar angazhimin e partisë për vendin dhe qytetarët.
“Ky është ekipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me besim në Zot, me vullnet për vendin, me dashuri për njerëzit tanë dhe me përgjegjësi për të ardhmen, zotohemi se do t’ju prijmë me dinjitet.”