Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se polarizimin e skenës politike e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij e ka emancipuar skenën politike.

“Më vjen mirë që kemi nisur emancipimin e skenës politike sepse s’ka kurrfarë logjike me i thanë një parti ti je me Serbinë. Ky është koncept i përsëritur dhe pastaj me të thirr për të bashkëpunuar”, ka thënë Abdixhiku.

Reklamë

“Nuk guxojmë ta tolerojmë këtë gjuhë. Madje është edhe bindje. Ky distancim është taktizim elektoral është panik. Është mendësi politike”, ka thënë Abdxhiku në RTV Dukagjini.

Abdixhiku tha se nuk duhet të normalizohet një kryeministër që përdor gjuhë të tilla polarizuese.

“Nuk guxojmë ta normalizojmë këtë gjuhë të polarizuar të VV-së. E ka bindjen polarizuese, sepse përtej gjuhës fshihet bindja. Kjo parti politike ka ushqyer diskursin kosovar për 5 vite dhe jo vetëm. Një kandidat për kryeministër që i quan oponentët hajvan, deklaratë që s’qëndron, është fiktive. I quan mediat argat të Serbisë, dikur policët i ka quajtur majmuna e flamurin lara lara”, tha Abdixhiku.