×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025 / Drenas

    Gjoba 5 mijë euroshe s’kryen punë, Haxhiu sulmon sërish Prokurorinë në tubim – përdor fjalët e Kurtit

    Reporteri
    27 Janar 2025 | 20:38

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka sulmuar sërish Prokurorinë Speciale, gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, pavarësisht gjobës që i është shqiptuar nga PZAP’i.

    Ajo ka përdorur fjalët e kryeministrit Albin Kurti për të drejtuar akuza e sulme ndaj Prokurorisë, shkruan Reporteri.net.

    “Vetëm Qeveria jonë i ka dërguar 247 lëndë në Polici e Prokurori e dëmi i pretenduar tejkalon mbi 85 milionë euro, por deri tani kemi parë një mungesë thuajse totale të reagimit. Siç ka thënë edhe kryeministri, shpejtësia e drejtësisë për këto raste shndërrohet në shpejtësi të kërmillit. Por, këto dosje që qëllimshëm po mbahen në sirtar do të transferohen në prokurinë e re që do të themelohet me Qeverinë Kurti 3”, ka thënë Haxhiu.

    Haxhiu është shprehur e bindur që Prokuroria i përcjell tubimet e kësaj partie.

    “Kudo që po shkojmë qytetarët po kërkojnë që hajnat të shkojnë në burg. Unë jam e bindur që Prokuroria Speciale i ndjek me vëmendje tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj besoj që po ju dëgjon edhe juve. Populli i Kosovës kërkon që hajnat të shkojnë në burg”, deklaroi Haxhiu.

    Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me pesë mijë euro për një postim ku sulmohej Prokuroria e Shtetit.

    Ankesa ishte paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës të premten e 24 janarit pranë PZAP-së për LVV-në,  për deputeten Albena Reshitaj e cila në llogarinë e saj në Facebook kishte publikuar një fotografi në një nga tubimet e këtij subjekti politik, e që në të ishte e vendosur parulla ku shkruante “Prokuroria e Kosovës e kapur nga hajnat. Qeveria Kurti i çoi në Gjykata 250 lëndë, atdheu në rrezik, mërgata voton LVV”.

    PZAP e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e PDK-së, dhe partia në pushtet detyrohet që brenda 15 ditësh të paguaj gjobën prej 5 mijë eurove.

    VV-ja gjobitet me 5 mijë euro për sulmin në fushatë ndaj Prokurorisë, 6 mijë euro për keqpërdorimin e institucionit publik

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!