Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pesë të dyshuarve për manipulim me vota në këtë komunë, shkruan Reporteri.net.
Katër komisionerët dyshohen për “falsifikim të rezultateve zgjedhore”, teksa kryesuesi për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ata janë pjesë e grupit të dytë të të arrestuarve mbi këto dyshime.
“Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim si në vijim: Katër (4) të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S:, H:P., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.
Ndaj një (1) të pandehuri, N.B., i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, nga neni 414 par. 3, nën par. 3.2, (mos kryerja me dashje e ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj) të KP-së”, thuhet në njoftim./Reporteri.net