Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë rinumëruar mbi 70% e vendvotimeve, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim bëhet e ditur se në 25 komuna është përmbyllur tashmë procesi, ku janë rinumëruar 1 mijë e 804 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 26 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 70% apo 1,804 nga 2,557 vendvotime. Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org , në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”, thuhet në njoftim.
Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.
Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore e Prizrenit zhvilloi një aksion të premten, që përfundoi me arrestimin e 109 personave./Reporteri.net