×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjedhjet në BE: Evropë e Viktor Orbanit apo Evropë e Emmanuel Macronit?

    Reporteri
    29 Maj 2019 | 12:02

    Autor: Gentrit Dibrani


    Si projekt i elitave, Bashkimi Evropian njihet për deficit demokratik pasi që nga të gjitha institucionet e saj  vetëm parlamenti  është organ që përfaqëson qytetarët e BE-së, ku prej 28 vendeve të drejtë votë kanë 420 milionë persona.


    Që nga viti 1979 deputetët e Parlamentit Evropian janë zgjedhur drejtpërsëdrejti nga qytetarët e vendeve anëtare në çdo 5 vite.

    Më 26 maj (e diel) votuan 21 shtete anëtare të BE-së pasi që 7 të tjera kishin votuar gjatë ditëve të javës për shkak se nuk e kishin traditë votimi ditën e diel. Nga këto zgjedhje do të dalin 750 deputetë.

    Ndikim të drejtpërdrejtë në rrugëtimin e mëtutjeshëm të unionit do të kenë këto zgjedhje, pasi që u zhvillua një garë në mes të partive liberale dhe joliberale.

    Sipas rezultateve preliminare forcat progresive pro-BE-së (EPP, S&D, ALDE+En Marche, GREENS-EFA) do të mbesin forca më e madhe politike e BE-së, me 67.37% të votës së përgjithshme.

    Partitë konzervatoredhe populliste (Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (ish-ENF), ECR, GUE / NGL, 5STAR + BREXIT (ish-EFDD), Non-Inscrits) kanë arritur të fitojnë 28.89% të votës së përgjithshme.

    Partitë liberale synojnë unitetin e Bashkimit Evropian dhe rrugëtimin përpara si një tërësi e vetme, ndërsa partitë joliberale ose të ekstremit të djathë kërkojnë izolimin e BE-së.

    Kryeministri i Hungarisë përfaqësuesi i joliberalëve, Viktor Orban thekson se partitë liberale duan ta ‘ndryshojnë’ popullsinë e Evropës dhe ta islamizojnë duke futur migrantë, i cili është në të njëjtën vijë të mendimit me të djathtët gjermanë, francezë, danezë dhe italianë.

    Ndërsa udhëheqësi i populistëve të djathtë italianë, Matteo Salvini, i cili fitoi zgjedhjet në Itali dëshiron ta zvogëlojë rrënjësisht bashkëpunimin në Evropë.

    Ndërkaq, ndryshe mendon presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili u mund nga ekstremistët e djathtë të Marine Le Pen. Ai kërkon ‘rilindjen’ e Evropës, solidaritetit dhe dhembshurisë.

    E rol të rëndësishëm në kohezionin e BE-së si dhe ulëseve në Parlamentin Evropian kanë edhe deputetët e Britanisë së Madhe, që në fakt janë duke u larguar nga BE-ja.

    Situatë të ngjashme vlerëson edhe Arben Fetoshi, profesor universitar si dhe ligjërues i lëndës Sistemi Politik i BE-së në UP.

    Ai për Reporterin ka deklaruar se pavarësisht rezultatit, këto zgjedhje do të shënojnë fillimin e një epoke të re në historinë e BE-së. Sipas tij, rezultatet preliminare tregojnë se unioni ka shpëtuar nga kërcënimi i ekstremit të djathtë.

    Fetoshi vlerëson se sfida e parë me të cilën do të përballen partitë është formimi i institucioneve të reja.

    Sa i përket ndikimit të zgjedhjeve parlamentare të BE-së në proceset integruese të Kosovës, Fetoshi thekson se nuk do të kenë ndërlidhje direkte edhe pse sipas tij mund të ketë qasje frenuese sa i përket politikës së zgjerimit.

    ‘Në raport me Kosovën nuk mendoj se do të kenë ndërlidhje direkte, ndonëse mund të ketë qasje të re më frenuese sa i përket politikës së zgjerimit’, u shpreh Fetoshi.

    Profesori vlerëson se BE-ja ka nevojë për një rishikim të funksionimit të saj në funksion të forcimit të kohezionit.

    ‘Sfidat e brendshme në forcimin e kohezionit, mbrojtjes së vlerave fundamentale dhe tejkalimit të problemeve politike mund të përdoren si argument për nevojën e rishikimit të BE-së aktuale’, u shpreh Fetoshi.

    Profesori thekson se që të jetë BE-ja faktor i rëndësishëm global duhet një rikonstruktim i funksionimit të institucioneve të saj, pasojë e së cilës do të jetë ngadalësimi i politikave integruese të Ballkani Perëndimor.

    ‘Zhvillimet në botë dhe interesi për një BE si faktor i rëndësishëm global do të imponojë shqyrtimin e modaliteteve të reja funksionale e organizative, gjithnjë në funksion të vendimmarrjes më efikase dhe një sfere publike europiane. Këto mund të shkaktojnë ngadalësim të proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor, prandaj dhe aktualisht ka debat të nxehtë në nivelin e shteteve anëtare sa i përket vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut’, ka shtuar ai.

    Sa i përket integrimit të Kosovës në BE, Arben Fetoshi vlerëson se Kosova është larg në këtë proces, përveç mundësisë për liberalizim të vizave.

    ‘Kosova vazhdon të jetë larg në këtë proces, prandaj ndryshimet eventuale në politikën e zgjerimit më së paku e prekin atë, përveç në rastin e liberalizimit të vizave’, i ka thënë tutje Reporterit.

    Arben Fetoshi vlerëson se vizat tashmë janë kthyer në instrument presioni politik dhe vendimi për to do të varet nga zhvillime të rëndësishme politike si procesi i dialogut me Serbinë, që aktualisht është tema kryesore në Ballkanin Perëndimor, çështja e tarifës ndaj mallrave serbe, por mbase edhe fillimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale.

    Zgjedhjet Parlamentare i ka komentuar edhe Artan Murati nga KDI-ja. Ai përmes një postimi në Facebook është shprehur se edhe pas rezultateve preliminare partitë e ekstremit të djathtë nuk do të kenë rol të madh në formimin e institucioneve të reja të BE-së, madje ai thekson se partitë tradicionale si Partia Popullore Evropiane dhe Socialdemokratet, do të mbesin forcat kryesore në Parlament.

    ‘Me rezultatet preliminare për Parlamentin Evropian, partitë e ekstremit të djathtë e me sendiment anti-BE nuk do të kenë rol të madh në legjislaturën e re, e rrjedhimisht as në Komisionin e ri që do të formohet pas zgjedhjeve. Përkundrazi, përkunder rënies së vogël në mandate, dy grupet tradicionalisht më të medha në PE, Partia Popullore Evropiane dhe Socialdemokratet, do të mbesin forcat kryesore në Parlament. Liberalet dhe të gjelbertit, në anën tjetër, janë pjesa më e bukur e këtyre zgjedhjeve, duke pasur rritje të konsiderueshme’, ka thënë Murati.

    E sa i përket ndikimit të këtyre zgjedhjeve për proceset integruese të Kosovës, Murati e ka vlerësuar si lajm të mirë pasi që nuk do të përballemi me partitë anti-BE, të cilat janë rrjedhimisht edhe anti-zgjerim.

    Sipas tij Kosova, në skenarin më të keq, do të vazhdojë të përballet me një politikë konfuze të BE-së nga subjektet tradicionaliste të saj. Megjithatë ka shpresë për më mirë. Liberalët dhe të gjelbërtit tash e sa vite janë avokuesit më të mëdhenj pro Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.

    Murati vlerëson se me një Komision Evropian me liberal, BE do të ecë më shpejt, sikurse edhe vetë procesi integrues i të gjithë Ballkanit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!