Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Zhivojin Nesiq, duke e dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, saktësisht për dhunim seksual ndaj një viktime.
Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq është fajtor se në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Namani-Hajra tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 5 mars 2024. Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Dënimi me burgim, të akuzuarit Nesiq do t’i ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Po ashtu, gjykatësja tha se e dëmtuara kishte identifikuar të akuzuarin Nesiq pranë Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës. Të njëjtën gjë, tha se e ka bërë edhe pranë Policisë në procesverbalin mbi identifikimin e të dyshuarit.
Po ashtu, e dëmtuara kishte identifikuar Nesiqin edhe në Gjykatë dhe Prokurori.
“Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, Gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit”, tha Namani-Hajra.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi aktgjykimi të pranohet me shkrim nga palët në procedurë.
Ndryshe, në fillim të seancës fillestare më 11 shtator 2024, gjykatësja Violeta Namani-Hajra kishte bërë të ditur se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 26 gusht 2024, Zhivojin Nesiq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal Jogosllav, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143 paragrafi 1, nën paragrafi 1.6 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, /BetimipërDrejtësi