×
  • Lajme
  • Lajme

    Zhurmë në LDK, qetësi në Vetëvendosje, ngrihen negociatat – koalicioni pezull

    Reporteri
    12 Tetor 2019 | 10:54

    U prit se një vendim nga Lidhja Demokratike e Kosovës për koalicion me Vetëvendosjen dje do të ishte më konkret, por kjo gjë nuk ndodhi.


    Lidhja Demokratike e Kosovës po tregon hezitim sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje që ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve preliminare, shkruan lajmi.net.

    Dje, në mbledhjen e kryesisë së LDK-së është vendosur të pritet për certifikimin e rezultateve në mënyrë që të vendoset për koalicionin me Vetëvendosjen – e në këtë mbledhje nuk u caktua as ekipi negociues me VV-në, arsye për të cilën edhe ishte thirrur mbledhja.

    Menjëherë pas takimit, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa për media ka thënë se do të presin për certifikimin e rezultateve që të vendosin për koalicionin me Vetëvendosjen.

    “Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me VV-në. Po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe 40 mijë votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me VV-në do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me VV”, tha zëdhënësi Besian Mustafa.

    Ai thotë se është një rezultat i ngushtë mes dy partive, dhe se duhet të pritet deri në numërimin e votës së fundit.

    “Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim me pak se 2500 vota. Andaj do t’i presim certifikimin e rezultateve. Takimi i radhës me VV-në do vazhdoj pas certifikimit”, tha ai.
    E se brenda LDK-së mund të ketë pakënaqësi e përçarje rreth koalicionit me Vetëvendosjen është e qartë pas deklaratave të nënkryetarëve të kësaj partie, Agim Veliu e Haki Rugova.

    Veliu në një prononcim për media është shprehur i zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve ku sipas tij LDK ka pësuar rënie, deklaratë kjo për të cilën Vjosa Osmani nuk ka dashur të komentojë duke thënë se ka pasur disponim të mirë në mbledhjen e kryesisë.

    Në anën tjetër, Haki Rugova, nënkryetari tjetër i kësaj partie për lajmi.net është shprehur se brenda çdo partie mund të ketë mospajtime të ndryshme, duke mohuar që brenda LDK-së ka përçarje rreth koalicionit.

    E qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës të kumtuar nëpërmjet Besian Mustafës e demantuan vet krerët e LDK-së, kryetari Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.

    Ata thanë se nuk ka ngrirje të negociatave por se do të pritet certifikimi i i rezultateve për të filluar bisedimet dhe konkretizimin e marrëveshjes.

    I pyetur nëse e pranon Albin Kurtin për kryeministër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se më e lehtë do të kishte qenë sikur Vjosa të ishte kryeministre.

    Ai që nuk reagoi deri vonë ishte nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri i cili në një paraqitje televizive gjithashtu mohoi ngrirjen e negociatave, duke thënë se partia e tij po pret certifikimin e rezultateve.

    Haziri ka pohuar se mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë bashkëpunim pas certifikimit të rezultateve, duke lënë të kuptohet se e pranon për kryeministër njeriun që gjatë gjithë fushatës e kishte quajtur “MR.Bean”, manipulues dhe e kishte akuzuar për braktisje të qëndrimeve.
    Këto qëndrime të ndara e aspakt koherente të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk i kanë pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje.

    Asamblisti i kësaj partie në Prishtinë ka ofenduar rëndë krerët e kësaj partie duke vazhduar edhe tek votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Pos këtij reagimi, asnjë reagim zyrtar nuk ka dalur mbrëmë nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me deklarimet publike të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Vetëvendosje po e ruan qetësinë dhe po e shfrytëzon komoditetin e të parit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërsa atmosfera brenda LDK-së nuk duket e mirë e aspak në harmoni e pajtim të të gjithëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!