Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rastin e zëvendësministrit Ali Tafarshiku, i cili në gjendje të dehur ka goditur mbrëmë me veturë zyrtare një 15 vjeçar, rast ky për të cilin raportoi sot ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net.
Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë nuk ka treguar se çfarë veprimesh do të ndërmerren ndaj zëvendësministrit, por ka thënë se po presin institucionet përkatëse të shtetit që të kryejnë punën e tyre fillimisht.
Kurti tha se ndihet “jashtëzakonisht keq” për atë që ka ndodhur, e u shpreh se njëjtë ndihet edhe zëvendësministri. Ai tha se beson që “shumë shpejt do të merren hapat në vijim”.
“Për sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit të cilët hetojnë e hulumtojnë dhe natyrisht procedura vazhdon. Mua më vjen jashtëzakonisht keq çfarë ka ndodhur. Besoj që njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri dhe shumë shpejt do të mund të merren hapat në vijim, por na duhet njëherë që të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, u shpreh Kurti.
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku. Siç raportoi gazeta online Reporteri.net, zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë zyrtare një motoçiklist.
Ai ka qenë i dehur në momentin kur ka shkaktuar aksidentin. Motoçiklisti i goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri Tafarshiku, është një 15 vjeçar nga Gjakova.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në emergjencën e Gjakovës.
Pas rastit, zëvendësministrit Tafarshiku i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Ai ka rezultuar se kishte konsumuar 2.30 % promil alkool.
Përkundër kësaj kësaj, zëvendësministri i Qeverisë Kurti është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti nuk u përfshi në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në konfirmimin që më pas Policia rajonale e Gjakovës kishte dhënë për gazetën online Reporteri.net nuk është përmendur se aksidenti është shkaktuar nga një veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën konsum të alkoolit kur ka shkaktuar aksidentin.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për gazetën online Reporteri.net.