×
  • Extra
  • Lista

    Personalitetet që ndryshuan botën në shekullin XX: Politikanë, revolucionarë, kriminelë dhe yje

    Reporteri
    13 Korrik 2019 | 15:23

    Cili është fjalimi i Martin Luther Kingut që ndërroi Amerikën? Kush ishte njeriu që ka mundur të heq Stalinin nga pushteti? A është vërtet Khomeini lideri i cili nisi Lëvizjen anti-perëndimore te shtetet islamike? Pse Marilyn Monroe gjendet në këtë listë? Kush ishte në të vërtetë Ernesto Che Guevara?


    NOBELIST DHE MARTIR – MARTIN LUTHER KING

    King është shumë i njohur në Amerikë sesa në Evropë. Ky me siguri meriton të gjendet në këtë listë sepse veprimtaria e tij politike bëri që të ndryshojë historia në shtetin më të rëndësishëm të epokës sonë, në SHBA. Fjalimi i tij legjendar “I have a dream”, i mbajtur në Uashington, në vitin 1963, para 250 mijë vetave, njihet thuaja përmendësh nga çdo qytetar amerikan.

    King ishte prijetar i një lëvizjeje paqësore të llojit gandist, sepse kuptoi që kjo rezistencë mund të bëjë shumë më tepër për përmirësimin e të drejtave të afro-amerikanëve në Amerikë se sa çfarëdo rebelimi i dhunshëm. Përndryshe, King kishte studiuar teologjinë, së pari në Universitetin Crozer të Pensylvanisë e pastaj edhe në atë të Bostonit. Në Boston edhe doktoroi, në vitin 1955.

    Pas doktorimit, vendoset në një kishë në Alabama. Në fillim, King mendonte që përmes rrugëve legale, mund të ndikojë në ndryshimin e pozicionit të zezakëve, por së shpejti ky kuptoi që në rrethanat e atëhershme, nuk mund të bëhet shumë në këtë mënyrë. Prandaj, vendosi të inicojl një lëvizje të rezistencës së padhunshme. Kësaj lëvizjeje, me kalimin e kohës, nisën t’i bashkangjiten edhe qytetarë tjerë të Amerikës, të racave të ndryshme.

    Pas fjalimit të tij njëmend të madhërishëm në Uashington, King nisi të çmohej shumë kudo në Amerikë. “TIME” e pat shpallur Kingun “njeriun e vitit”, ndërsa vitin tjetër, më 1964, ai mori çmimin Nobel për Paqe. Megjithatë, Kingu kishte telashe të mëdha dhe atë jo vetëm me pushtetin. Edhe në mesin e afro-amerikanëve kishte të pakënaqur me mungesën e rezultateve konkrete të lëvizjes së tij. Këta shkonin te Malcolm X dhe “Panterët e Zi”, të tij, që predikonin rezistencë me të gjitha mjetet e mundshme. Pastaj, midis të bardhëve, King gjithnjë e më shumë shihej si burim i problemit dhe si një i deleguar i djallit. Po ashtu, edhe tek përkrahësit e tij, gjithnjë e më shuml shtoheshin dyshimet për sukses dhe madje haptasi predikohej ateizmi.

    Së fundit, King nisi të flasë edhe kundër inkuadrimit të Amerikës në Luftën e Vietnamit, gjë që po ashtu shihej si problematike në atë kohë.

    Martin Luther King u vra me 4 prill të vitit 1968, në Memphis. Për vrasjen e tij u dënua James Earl Ray, i cili më vonë vdiq në burg. Pakkush ka besuar që Ray ka qenë i vetmuar në këtë vrasje, ashtu si në rastin e vrasjes së Kennedyt, kur thuaja askush nuk besonte që Lee Harvey Osvald ishte vrasësi i vetëm i tij.

    Në vitin 1999, Gjykata më Mephis e ka shpallur të pafajshëm James Earl Rayin. Vrasësit e njëmendtë të Kingut nuk janë gjetur sot e kësaj dite. Por, dyshimet shkojnë tek pushteti i atëhershëm amerikan dhe shërbimet sekrete të cilat ishin të interesuara të heqin qafe Kingun.

    SUNDUESI I GJYSMËS SË EVROPËS – STALINI

    “Manifesti i partisë komuniste” i Karl Marksit (Karl Marx), është një nga librat që ndikuan më së shumti në historinë e njerëzimit në shekujt XIX dhe XX. Është një libër i hollë të cilin me siguri nuk e njohin gjeneratat e reja të kosovarëve, edhe pse Kosova, ashtu si edhe gjysma e Evropës, ka jetuar nën komunizëm për gati gjysmë shekulli. Në fund të këtij regjimi, është përpiluar “Libri i zi i komunizmit”, i cili është diku njëzet herë a më shumë më i trashë se “Manifesti”, në të cilin janë përmendur krimet kryesore të bëra në emër të komunizmit në Evropë dhe gjetiu.

    Natyrisht, këtu ka pak rëndësi që Marksi dhe miku i tij Engelsi (Friedrich Engels), kur shkruan “Manifestin” mendonin që komunizmi duhet të instalohet në shtetet më të pasura dhe më të industrializuara të Perëndimit, e jo në Rusi dhe në vendet më të varfra të Evropës. Marksi në disa raste me përçmim kishte shkruar dhe folur për Rusinë, por Rusia u bë atdheu i realizimit të ideve të tij.

    Revolucioni komunisto-bolshevik do të ndodhë në tetor të vitit 1917 në Petrogradin e atëhershëm (i cili më vonë do të ndërrojë emrin në Leningrad e sërish do të kthehet në Petrograd). Këtij revolucioni do t’i prinë Vladimir Iliq Lenini, një ithtarë i madh i veprës së Karl Marksit. Pas vdekjes së Leninit, në vitin 1924 do të nisë lufta politike për trashëgiminë e tij midis Lav Trockit (Leon Trotsky), Komandantit të Parë të Armatës së Kuqe dhe Josif Visarionoviq Stalinit, i cili kishte studjuar teologjinë për tu bërë pastaj revolucionar. Trocki do të humbë këtë luftë dhe do të dëbohet nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1940, një agjent i NKVD-së (Shërbimit Sekret Sovjetik), do ta vrasë Trockin në Meksiko.

    Stalini do të sundojë me “dorë të hekurt” me Bashkimin Sovjetik, por edhe organizatën gjithkomuniste të quajtur Kominterna. Do të krijojë një mori kampesh përqëndrimi, në të cilat do t’i dërgojë miliona armiq të tij. Thuhet që në periudhën e sundimit të tij kanë vdekur në Bashkimin Sovjetik mbi 20 milionë veta.

    Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Stalini dhe Bashkimi Sovjetik do të sundojnë me Gjysmën e Evropës: Prej Baltikut deri në Adriatik, si është thënë atëherë.

    Stalini do të vdesë në vitin 1953. Tri vjet më vonë, Nikita Krushovi, i cili do të dalë si trashëgimtar i tij, do të nisë të kritikojë Stalinin për terrorin e tij. Por, Stalini, sot e kësaj dite vazhdon të jetë politikan i çmuar në Rusi.

    Roli i tij ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në zhvillimet në këtë pjesë të Evropës. Liderët serbë të asaj kohe kanë thënë që Stalini ka përkrahur idetë që Shqipëria të absorbohet nga Jugosllavia e atëhershme, ndërsa Enver Hoxha, diktatori shqiptar, do të shkruajë të kundërtën: Që Stalini do ta shpëtojë Shqipërinë nga Jugosllavia.

    GJITHÇKA NISI NË IRAN – KHOMEINI

    Në vitet e shtatëdhjeta të Shekullit XX, Irani ka qenë njëri prej aleatëve kryesorë të Amerikës. Nën udhëheqjesn e Shah Reza Pahlavit, Irani ishte një shtet sekular, me lidhje të forta me Perëndimin, çfarë ishte dhe mbeti sot e kësaj dite Turqia. Gratë atëbotë kishin të drejtë vote, urbanizimi dhe industrializimi i Iranit kishte marrë hov të madh, Irani ishte shtet që zhvillohej mjaft shpejtë. Megjithatë, tej kësaj përshtypjeje të parë, gjendja në Iran ishte larg asaj të dëshiruarës. Varfëria e popullatës ishte shumë e madhe, korrupsioni në pushtet i pakufishëm, njëkohësisht, luksi i familjes Pahlavi dhe përkrahësve të tyre tepër provokues. Demonstratat e njëpasnjëshme dhe reagimet e vrazhda të forcave të sigurimit bënë që t’i vijë fundi regjimit të Pahlavit, përkundër përpjekjeve të SHBA-së që disi të ruajë këtë aleat në Azi, i cili aq shumë i nevojitej viteve të shtatëdhjeta.

    Pas Pahlavit, në Teheran kthehet Ajatollah Homeini (Sayyid Ruhollah Mūsavi Khomeini), i cili për vite kishte qëndruar në Paris, i dëbuar nga ky regjim. Iranianët e pritën Homeinin si shpëtimtar. Ky nuk vonoi dhe shpalli që në Iran më nuk kanë çfarë të kërkojnë amerikanët. Për më tepër, Homeini cilësoi Amerikën si “djallin e madh”, i cili kundërshton Islamizmin. Studentët ekstremistë iraninë, në vijim të porosive të Homeinit, hynë në Ambasadën e SHBA-së në Teheran dhe kidnapuan 52 diplomatë dhe teknikë të kësaj ambasade. Administrata e presidentit Xhimi Karter u mundua t’i lirojë ata në të gjitha mënyrat: Prej sanksioneve ekonomike deri te përpjekja e pasuksesshme e forcaeve elite të cilat dështuan, duke lënë prapa tetë ushtarë amerikanë të vrarë në shkretëtirat e Iranit. Pengjet u liruan tek në vitin 1981. Një vit më parë, Irani hyri në një luftë tetëvjeçare me fqiun Irakun, e cila nuk solli fitues por vetëm qindra mijëra vetë të vrarë.

    Ajaltollah Homeini vdes në vitin 1989, duke lënë prapa vetes një shtet fetar. Shembulli i Homeinit dhe Iranit u ndoq nga shumë lëvizje islamiste. Llogaritet që ndikimi i Homeinit ishte njëmend vendimtar në forcimin e lëvizjeve politike dhe fetare në botën islamike, posaçërisht në Afganistanin fqi, i cili në vitet e tetëdhjeta luftonte për çlirimin nga forcat okupatore të Bashkimit Sovjetik.

    Sot Irani nuk është më një shtet rigjid fetar, por megjithatë, ai vazhdon të cilëoshte nga Uashingtoni si pjesë përbërëse e “Boshtit të së Keqes”, tok me Irakun dhe Korenë e Veriut.

    FEMRA MË E NJOHUR E SHEKULLIT XX – MARILYN MONROE

    Mund të thoni që kalimi prej një ideologu dhe fetari, çfarë është Homeini, në një aktore dhe bukuroshe çfarë ishte Marilyn Monroe, është një lloj provokimi i qëllimshëm. Por, Marilyn Monroe e ka vendin në këtë listë sepse ajo ka ndikuar shumë në jetën, filmin dhe kulturën e Amerikës së viteve të pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta. Rrëfimi për Norma Jeanin, siç është emri origjinal i Marilyn Monroes, është pak a shumë i njohur për të gjithë juve. Norma Jean u martua herët dhe me siguri jeta e saj do të ishte e mërzitshme dhe aspak interesante për ne, sikur një fotograf, i quajtur David Conover, nuk e zbuloi në fabrikën ku kjo punonte.

    Nuk vonoi dhe Norma Jean ndërron emrin në Marilyn Monroe, nënshkruan kontratën me “20th Century Fox”, bëhet biondinë (në “origjinal” ishte abrashe) dhe xhiron filmin e parë “Burrat preferojnë biondinat”, për të cilin merr honorarin në vlerë prej 125 dollarë. Marilyn Monroe, në vijim të popullaritetit martohet me Joe DiMaggian, legjendën e bejsbollit amerikan. Martesa do të zgjasë vetëm nëntë muaj, sepse dallimet në karaktere ishin shumë të mëdha. Edhe martesa tjetër e Monroes, me shkrimtarin e madh amerikan Arthur Miller, do të përcillet me një interesim shumë të madh të opinionit amerikan. Kësaj here, martesa zgjati më shumë, gati tre vjet, por Marilyn u shkurorëzua sërish. Pastaj, ajo u bë e njohur për aferat e saja të dashurisë me presidentin John F. Kennedy dhe vëllaun e tij Robert. Të gjithë mbajnë në mend se si Marilyn i ka kënduar “Happy Birthday Mr.President”, John Kennedyt, për ditëlindje.

    Marilyn Monroe do të gjendet e vdekur, në apartamentin e saj, në vitin 1962, kur kishte vetëm 36 vjeçe. Versioni zyrtar i vdekjes së saj është që ajo bëri vetëvrasje, duke përdorur barëra për qetësim, pa të cilat nuk mund të flinte. Megjithatë, sot e kësaj dite, vdekja e saj cilësohet si enigmatike dhe e pasqaruar deri në fund. Shumëkush është i prirë të lidhë vdekjen e saj me lidhjet që kishte me vëllezërit Kennedy.

    Sidoqoftë, popullariteti i saj nuk pësoi fare rënie pas vdekjes. Përkundrazi. Filmat e saj janë përherë shumë të popullarizuar, ndërsa CD-të me muzikën e filmave, ku edhe kjo këndon, janë gjithmonë të mirëpritur nga publiku.

    Në vitin 1999, kur Magazina “Playboy”, më e njohura në botë për “shijen mashkullore” bëri përzgjedhjen e njëqind femrave më joshëse të shekullit XX, Marilyn Monroe pothuaj nuk kishte konkurrencë të denjë. Ajo pra u shpall si Njëshi i botës femërore në qindvjeçarin e kaluar.

    Por, pakkush mund të kontestojë që ajo vdiq si femra më e famshme dhe njëkohësisht më fatkeqe në Amerikë.

    MJEK DHE REVOLUCIONAR – CHE

    Çe Guevara (Ernesto Che Guevara), me mjekër dhe flokë të gjata të denja për një rok-yll, me beretën dhe yllin në të, me një shikim të veçantë, është një nga fotografitë më të njohura të shekullit XX. Këtë askush nuk e mohon. Por nuk janë të shumtë ata që dinë sot detaje të biografisë së këtij revolucionari i cili tok me Fidel Castron bëri që Kuba të shndërrohet në shtet komunist. Filmi “Evita” i Alan Parkerit, me Madonnën në rolin e Eva Peronit, gruas së Juan Peronit, kryetarit të Argjentinës dhe Antonio Banderasin në rolin e Çe Guevarës, bëri që publiku të njihet pak më shumë për Çe Guevarën.

    Çe Guevera u lind në Argjentinë. Nën ndikimin e madh të së ëmës, Ernesto nisi të interesohet shumë për letërsi. Ernesto ishte shumë inteligjent dhe prej letërsisë së shpejti kaloi në vepra filozofike dhe politike. Ndër autorët e tij më të preferuar ishin Karl Marxin dhe Sigmund Freudi. Ernesto ishte i dhënë shumë edhe pas sporteve të ndryshme, edhe pse ishte i sëmurë prej astmës.

    Kriza e madhe ekonomike në Argjentinë, në kohën e Juan Peronit, bëri që Guevara të humbë në tërësi besimin në një rend demokratik parlamentar. Për më tepër, ai mendonte që SHBA-ja është armiku kryesor i Argjentinës dhe klasës punëtore.

    Por, do të kalojë një kohë derisa ky të mos përcaktohet për metoda revolucionare. Në Universitetin e Buenos-Ajresit, do të studiojë mjekësinë dhe gazetarinë. Udhëtoi shumë nëpër Amerikën Latine. Në Mexico City do të njihet me vëllezërit Castro – Fidelin dhe Raulin. Posaçërisht u afrua me Fidelin i cili e thirri për t’iu bashkangjitur në luftën për krijimin e pushtetit komunist në Kubë. Ernesto Guevara mori nofkën Çe dhe u bë njëri prej komandantëve më të njohur të ushtrisë revolucionare kubaneze.

    Pas vendosjes së regjimit të ri në Kubë, ishte personaliteti i dytë për nga rëndësia në Havanë, menjëherë pas Castros. Në vitin 1965, do të botojë librin “Socializmi dhe Njeriu”, në të cilin shprehte idetë dhe qëndrimet e tij, të afërta me Anarkizmin. Largimi i tij nga marksizmi dhe këmbëngulësia e tij që ishte pasojë e karakterit të tij, bëri që ky të largohet nga Kuba.

    Çe do të udhëtojë në Afrikë për të bërë revolucion atje, pastaj do të kthehet në Bolivi, prapë me synime për të ndryshuar botën. Nuk do të vonojë dhe ushtria boliviane do ta zë dhe ekzekutojë. Edhe fotografitë e Çe Guevarës të vrarë, do të qarkullojnë pastaj në tërë botën.

    Prej atëherë, Çe Guevara u shndërrua në njërin ndër mitet bashkëkohore, që personfikon një kryengritës i cili s’pajtohet me botën. U harruan përcaktimet e tij komuniste dhe mbetë gjallë vetëm karakteri i tij rebelues

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!