×
Opinione

Brishtësia e jetës tonë në këtë planet, e shpërfaqur me covid-19, moment për reflektim

Reporteri
16 Mars 2020 | 21:09

Autor: Anton Berisha


Ajo çfarë është duke ndodhur në këtë kohë me Coronavirus, është se bota e niveleve të ndryshme e dallimeve të mëdha, papritur përnjëherë ndodhet e tëra në një anije.


E gjithë historia botërore, që nga luftërat e deri te armatimet bashkëkohore nukleare, sistemet e ndryshme të organizimeve shoqërore, veprave të mira kulturore, artistike e sportive, e çka do tjetër nuk arritën të bëjnë atë çfarë është duke bërë një virus, që dorën në zemër, në nuk e dimë se a është natyror apo kimik, për ta bërë botën, siç është një shprehje e popullit ‘pyk’ duke e përballur njerëzimin, me nivele të ndryshme ekonomike, organizative, kulturore e historike, në një gjendje të përbashkët në sfidën e përballjes me të njëjtin fat, mbijetesën.

Treguesi i parë e thelbësor me këtë virus, është fragjiliteti ( brishtësia) i jetës tonë në planet.

Treguesi i dyte, është domosdoshmëria e të kuptuarit, se shoqëritë e shtetet e veçanta, edhe ato me superioret kane marre leksionin se bashkëpunimi dhe koordinimi tash e tutje do të jetë domosdoshmëri e pashmangshme. Kjo vlen për shtetet, për sektorët përkatës, shkencor, medicinal, organizativ, siç e theksoi para pesë viteve Bill Gates, edhe ushtarak për të krijuar një sistem konfrontues me ‘armikun’ e të gjithë neve, siç doli të jetë Covid-19.

Përderisa shifrat e infektimit, që tash në epiqendër kanë Europën, janë në rritje shqetësuese, që kërkojnë përballje të secilit shtet me njerëzit e infektuar, me panikun e krijuar, me shpëtimin e jetërave, që kërkon mobilizim shtetëror por edhe ndërshtetëror, me shpresën që situata megjithatë mund të tejkalohet, kjo është një situatë që Europa dhe bota, duhet të ndalet e të reflektoj, për mënyrën e stilit të jetës që kemi aplikuar.

Dallimet ndërmjet shteteve dhe klasave, në të pasur dhe të varfër, tash kur virusi është duke i relativizuar ngase është duke prekur shtete te zhvilluara por edhe individë të klasës së lartë, do të duhej një reflektim në sistemet shëndetësore e deritanishme dhe në investimet brendashtetërore. Meqenëse rasti konkret, ka të bëjë me mjekësinë respektivisht me shkencën, si mundësia kryesore për zgjidhjen e problemit, një riorentim investues është domosdoshmëri, që me një rast të thjeshtë e ilustroi mjekja italiane që tha se mjeku që paguhet rreth 1300 euro duhet të merret me shpëtimin e jetës së sportistëve, në të cilët investohet edhe deri në një milionë euro. Në kontekst me të gjërë, Europa por edhe bota duhet të orientohet në një sistem përkujdesjeje mjekësore në nivel global e jo si deri më tash parcial e të mbyllur.

Shembull tipik, është vet rasti ynë, kur në ndonëse me Shqipërinë kemi bërë sa e sa mbledhje të qeverive, i takojmë një kombi, në këtë situatë s’kemi asnjë bashkëpunim e as ndihmesë, përkundrazi kemi mbyllur kufinjtë dhe përballemi me virusin krejtësisht të pavarur pa asnjë lloj bashkëpunimi e as solidariteti. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me shtetet shumë më të zhvilluara, si ilustrim, Italia e Gjermania poashtu janë duke u përballur pa ndonjë interaksion ndonëse të dyjat janë shtete anëtare të UE-së.

Duke marre parasysh qasjen racionale, se sado e dhimbshme dhe më shumë jetëra njerëzish të humbura, kjo situatë do të tejkalohet, shtrohet pyetja thelbësore: çfarë të bëhet në situatën e ardhshme ngase Covid-19, me siguri nuk do të jetë sfida e fundit e njerëzimit.

A do të kuptojnë shtetet dhe individët, ashtu siç e theksoi drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva se pabarazia financiare dhe ndryshimet e mëdha ndërmjet shteteve e individëve, mund të krijoj pasiguri të tipit të Depresionit të Madh, se është koha e reflektimit etik dhe solidaritetit global, mbetet të shihet, dhe Covid-19 mund të ketë ‘efektin anësor’ për të tejkaluar egoizmin e etabluar ndër shekuj.

Tash, që Covid-19 në një formë ka shkrirë dallimet, duke mbyllur në shtëpi njerëzit, pavarësisht përkatësisë së tyre shtetërore apo klasore, është momenti për të kuptuar se ne, pa dallim, jemi qenie të brishta në këtë planet, dhe për të mbijetuar na duhet bashkëpunimi bazuar në solidaritet, bashkëpunim e mbi të gjitha qasje humaniste.

A do të jetë kjo një situatë e rëndë nga e cila do të merr mësim bota mbetet ta shohim?!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!