×
Opinione / Mediat e Vuçiqit

Fabrikat serbe të propagandës forcojnë përkrahjen për Moskën

Autor:Leon Hartwell
20 Maj 2024 | 11:58

Teksa mediat serbe forcojnë përkrahjen për Rusinë nëpër krejt Ballkanin, Perëndimi duhet ta sfidojë dezinformimin nga Beogradi.

Kur Zonja e Parë ukrainase, Olena Zelenska, erdhi në Beograd më 12 maj, një media e cilësoi si “sinjal se shteti ballkanik po largohej nga Moska”. Një tjetër pati përfundimin e njëjtë. Mirëpo shumë serbë nëpër Ballkan nuk e shohin kështu.

Presidenti serb me bindje të shtuara autoritare, Aleksandar Vuçiq bëri përpjekje të shiste imazhin e neutralit ndaj Ukrainës, duke thënë se “çuditërisht nuk është në anën e askujt” teksa bëri përpjekje ta poziciononte veten si figura e Titos, i aftë të mirëmbante marrëdhëniet miqësore si me Perëndimin ashtu me Rusinë.

Për të kënaqur miqtë e tij perëndimorë, ai raportohet se ka dërguar “armë vdekjeprurëse” dhe ndihmë humanitare” në Ukrainë – qartësisht të mjaftueshme për t’u siguruar se do të ketë më pak reagim ndaj veprimeve destabilizuese të regjimit të tij gjatë vitit 2023 në Kosovë, që çuan te lëndimi i 90 paqeruajtësve të NATO-s dhe te sulmi terrorist në Banjskë.

Çfarëdo që i thotë Vuçiqi Perëndimit, dy vjet pas luftës në Ukrainë, serbët nëpër krejt Ballkanin janë shprehur hapur në përkrahje të aksioneve ruse.

Një sondazh i realizuar nëpër krejt Ballkanin nga International Republic Institute, të publikuar më 14 maj, tregoi se, teksa shumica e të anketuarve nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, e dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë, 49 për qind e serbëve e shihnin si të “arsyeshëm”.

Përqindje e madhe në Mal të Zi (31 për qind) dhe në Bosnjë e Hercegovinë (27 për qind) gjithashtu përkrahnin aksionin e Rusisë, që është i afërt me numrin e serbëve në çdo shtet. Rreth 29 për qind e malazezëve e kanë cilësuar veten si etnikisht serbë në censusin e vitit 2011, teksa Bosnja dhe Hercegovina është 31 për qind e populluar me serbë, sipas një vlerësimi të vitit 2013.

Qëndrimet e tyre janë pasqyrë e mediave serbe të lajmeve me lidhje të afërta me regjimin e Vuçiqit, të cilat vazhdimisht përhapin propagandën pro-Kremlinit në shtetet me popullsi më të madhe serbe.

Narrativat antiperëndimore gjejnë terren të përshtatshëm mes serbëve, shumica prej të cilëve besojnë se ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995 dhe në Kosovë katër vjet më vonë ishin të paarsyetueshme.

Pavarësisht dallimeve, ndonjëherë, kur mbron Kremlinin, Vuçiqi e krahason pushtimin e Ukrainës nga Rusia me bombardimin e NATO-s ndaj caqeve serbe gjatë luftës në Kosovë.

Mbështetja e qartë për secilën anë të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës pasqyron gjithashtu rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët dhe kosovarët mbështesin me të madhe Ukrainën, teksa mbështetja e qartë për Kievin është dukshëm më e ndrydhur në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Është minimale në Serbi (4 për qind).

Një pjesë e konsiderueshme e serbëve (54 për qind) janë në linjë të qartë me Rusinë, duke reflektuar lidhjet e qëndrueshme mes Beogradit dhe Moskës. Për më tepër, Moska ka mbështetjen e pakicës së konsiderueshme të malazezëve (26 për qind), boshnjakëve (26 për qind) dhe maqedonasve (19 për qind).

Rusia nuk e ka peshën ekonomike të Bashkimit Evropian dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo Gazprom dhe Lukoil vazhdojnë të kenë kontrollin e konsiderueshëm mbi sektorët e energjisë në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut. Elitat ruse zotërojnë gjithashtu gati një të tretën e jahteve të regjistruara në Mal të Zi në bregdetin e Adriatikut dhe kanë gati 40 për qind të pasurive të saj të paluajtshme.

Arsyeja më e dukshme që Kremlini pëlqehet mes serbëve është se elitat ballkanik si Vuçiqi (Serbi), Milorad Dodiku (lider i serbëve të Bosnjës) dhe Andrija Mandiq (kryetar i parlamentit të Malit të Zi), mbajnë lidhje të ngushta me Kremlinin, të mbështetur nga mediat lokale dhe ruse dhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Këto lidhje shërbejnë si kanale për narrativat ruse, duke formuar opinionin publik dhe qëndrimet politike në rajon.

Teksa shtetet perëndimore i kanë ndaluar mediat propagandistike të Moskës, Serbia e ka mirëpritur Rusinë, jo vetëm duke lejuar atë që të vazhdojë luftën e saj të informacionit nga zyra e Sputnikut në Beograd, mirëpo edhe nëpërmjet hapjes së RT Balkan, e cila ka zgjeruar operacionet e dezinformimit rus.

Dy mediat ofrojnë lajme në gjuhën serbe, duke ia mundësuar Kremlinit që të kapë audiencë më të gjerë nëpërmjet Ballkanit. Sputniku i Serbisë gjithashtu punon ngushtë me mediat lokale duke i furnizuar me propagandën e prodhuar nga Kremlini.

Serbia ka ofruar pak asistencë prë Ukrainën, mirëpo regjimi ka refuzuar të vendos sanksione ndaj Rusisë, sepse, sipas fjalëve të Vuçiqit, “Një mik në nevojë është mik i vërtetë”. Ai ka shitur teknologji ushtarake me përdorim të dyfishtë në Moskë dhe ka hapur dyert e Serbisë për një numër të madh biznesesh ruse, duke krijuar mundësi për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore.

Nëse Perëndimi dëshiron të zmbraps dezinformimin rus në Ballkan, duket të konfrontojë epiqendrën e saj: Beogradin, që strehon shumë organizata serbe të mediave që përhapin propagandën e Kremlinit.

Kundërshtimi i mediave pro-Kremlinit gjithashtu është i rëndësishëm sepse Rusia ushqen ndjenjat secesioniste mes serbëve në Republikën Serbe dhe në veriun e Kosovës, duke paraqitur kërcënim për stabilitetin rajonal. Raporti i muajit shkurt nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së përmendi potencialin e përshkallëzimit të konfliktit në rajon.

Përshkallëzimi i tillë jo vetëm që do të ndikonte në Ballkan, mirëpo do të kishte pasoja serioze për Ukrainën, duke pasuar parasysh se Perëndimi ka kapacitetet e kufizuara për t’iu përgjigjur krizave dhe luftërave.

*Leon Harwell është anëtar jo-rezident në CEPA dhe bashkëpunëtor i lart në LSE IDEA të London School of Economics. Europe’s Edge është revista online e CEPA-s që mbulon tema kritike në doket e politikës së jashtme në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Të gjitha opinionet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin ose pikëpamjet e institucioneve që ata përfaqësojnë ose të Qendrës për Analizë të Politikave Evropiane. Përktheu në shqip: Reporteri.net.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!