×
Opinione

Iluzionet ndërkombëtare për Serbinë

Reporteri
03 Gusht 2020 | 13:16

Autor: Afrim Kasolli


Që kur filloi ashpërsimi i krizës kosovare në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare, herë më shumë e herë më pak, ka qenë e pranishme në të gjitha fazat vendimtare të kësaj krize.


Nëpërmjet formave të veçanta të angazhimit dhe ndërmjetësimit, ajo kërkonte një zgjidhje politike për statusin e Kosovës, pas abrogimit që regjimi i Milosheviqit ua imponoi institucioneve legale të Kosovës si njësi e ish-federatës jugosllave.

Qëllimi ishte të sigurohej një zgjidhje e pranuar si nga Serbia ashtu dhe nga Kosova. Diplomatët perëndimorë të përfshirë në këtë proces u bënin presion palëve që të kërkonin një kompromis për këtë krizë dhe u rekomandonin të distancoheshin nga gjuha e kërkesave maksimaliste, siç thuhej me eufemizëm diplomatik vazhdimisht.

Kjo praktikë megjithatë i ka dy përjashtime vendimtare. E para, në vitin 1999, pas refuzimit që Serbia i bëri Marrëveshjes së Rambujesw. Atëbotë shtetet demokratike nuk i pranuan driblimet e regjimit të Milosheviqit dhe vendosën të intervenonin kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe për ta ndalur politikën shtetërore serbe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Dhe herën e dytë në vitet 2007-2008, kur autoritetet serbe nuk e pranuan përfundimin e planit të ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari, i cili kishte qenë i emëruar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në negociatat e mbajtura në Vjenë në lidhje me statusin e Kosovës. Pra shtetet demokratike refuzuan kërkesat absurde serbe për negociata të pafundme dhe u pajtuan që në koordinim me shqiptarët t’i hapet rruga shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit. Rast paradigmatik i këtij imperativi strategjik mbetet deklarata e njohur e ish-presidentit amerikan George W. Bush, i cili gjatë vizitës historike që bëri në Tiranë në verën e paharruar të vitit 2007, pat deklaruar në mënyrë lakonike “Mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë e pavarur”. (Enough is enough. We believe Kosovo ought to be independent).

Kështu përpos këtyre dy rasteve kruciale, ku herën e parë Kosova e fitoi çlirimin, ndërsa herën e dytë e siguroi pavarësinë, në përgjithësi rrugëtimin diplomatik dhe politik të Kosovës, që nga shpërfaqja e krizës e deri më sot, e ka veçuar një proces i gjatë, i lodhshëm dhe nervasfilitës i negociatave me autoritetet serbe.

Obstruksionet e Politikës Serbe

Sidoqoftë, historia e komplikuar e raporteve shqiptaro-serbe, ka treguar se jo tolerimi afatgjatë, projeksionet hipotetike, apo zvarritja e pa fund e proceseve negociatore, por intervenimet e shpejta dhe të vendosura mbeten terapia e vetme për shtegdalje nga rrethi vicioz i krizës. Çdo variant tjetër është humbje kohe. Prolongim në pafundësi i krizës. Pra jo privilegjimi i Serbisë në negociata, por kufizimi i potencialeve të saj, si dhe çlirimi nga iluzioni për ta trajtuar atë si palë të mbivlerësuar me justifikime banale për shkak të pozitës gjoja gjeostrategjike që e posedon, mund te jenë e vetmja mundësi për stopim të spirales negative që ka kapërthyer rajonin tash e sa kohë.

Shteti serb asnjëherë deri më sot nuk ka qenë i angazhuar në një dialog të mirëfilltë. Politika serbe i ka shfrytëzuar negociatat dhe bisedimet vetëm si paravan për të blerë kohë dhe për të fituar terren, për të realizuar ambiciet e saj hegjemonike dhe programin nacionalist shtetëror. Ky fakt e ka karakterizuar gjithë ekzistencën e Serbisë si shtet. Kurse këtë logjikë mashtruese kemi pasur rastin ta shohim hapur edhe me rastin e kolapsit të përgjakshëm të is- Federatës Jugosllave.

Falë kapaciteteve enorme ushtarake që i trashëgoi nga ish-Jugosllavia, Serbia si republika dominuese e saj, u përfshi në aventura militare territoriale për t’i bashkuar të gjithë serbet e ish-Jugosllavisë brenda një shteti.

Me anë të këtij projekti hegjemonist, Serbia mëtonte që vakuumin gjeopolitik të atij konglomerati miniperandorak që po shembej nga kontradiktat e brendshme, ta kompensonte me një Serbi të Madhe.

Mirëpo ky mision për shkak të konfiguracionit etnik që dominonte në atë federatë, nuk mund të realizohej pa politikën e holokaustit ndaj popujve tjerë. Llogoret, kampet e përqendrimit, masakrat ndaj popullsisë civile, janë vetëm disa nga materializimet direkte të logjikës së nacionalizmit malinj serb.

Çuditërisht, manifestimi i kësaj politike protofashiste shtetërorë serbe ndaj etnive tjera agravohej pikërisht deri sa autoritetet e saj në mënyrë cinike negocionin për paqen.

Të gjithëve na kujtohen marrëveshjet e panumërta që Milosheviqi pati nënshkruar gjatë luftës në Bosnje. Dhe këto improvizime regjimi Beogradit i kishte bërë vetëm që të përfitonte kohë në jetësimin projektit nacionalist serb nëpërmjet gjenocidit dhe spastrimit etnik.

I nxitur nga e njëjta logjikë ai e dërgoi edhe delegacionin shtetëror serb në Konferencën e Rambujesë, të organizuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, përkatësisht Grupi i Kontaktit, vetëm e vetëm që të fitonte terren, për ta zbatuar planin e spastrimit etnik në Kosovë. Mirëpo në këtë rast dështoi, për arsye që dihen nga të gjithë ne.

Fatkeqësisht, edhe në bisedimet që po zhvillohen aktualisht në Bruksel, Serbia nuk është që interesohet për të drejtat individuale dhe kolektive të serbeve të Kosovës, siç manipulon Vozhd-a (prijësi i ri serb), epigoni i besnik i radikalit Vojsallav Sheshel. Sepse ky komunitet etnik i gëzon të drejtat e tij politike, kushtetuese dhe demokratike më shumë sa edhe vetë serbët që jetojnë në Serbi. Por ai angazhohet më tepër për minim të funksionalitet të shtetit të Kosovës me kërkesa absurde. Për më tepër, është Serbia ajo që, nëpërmjet strukturave ilegale dhe paralele, ua cenon të drejtat demokratike qytetarëve të zakonshëm serbë edhe në territorin e Kosovës dhe i frenon mundësitë e angazhimit të tyre normal demokratik. Dhe këtë e bën me një propagandë neveritëse, që të kujton atmosferën e viteve ’90 kur Milosheviçi i manipulonte ata. Mjerisht, serbët e Kosovës u joshën nga ajo dalldi kolektive dhe retorikë inflamtaore që e amplifikonte atëbotë propaganda e Beogradit. Ata u mishëruan me një lehtësi të padurueshme me mugëtirën e errët të profetit të tyre të ri. Shfaqjen e tij e përjetuan si shpëtim, si shans jetësor, si diçka që i nxori befas nga ajo hirnosje aq e gjatë dhe që u ishte dukur e padrejtë. Dhe ky avaz vazhdon pa dyshim edhe sot. E si i tillë ai fatkeqësisht po injorohet pikësëpari nga sponsoret e dialogut ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohet në Bruksel. Dhe e tëra kjo nën emrin e agjendës së integrimit dhe perspektivës evropiane.

Iluzioni i Demokratizimit dhe Evropianizimit të Serbisë.

Gjithsesi, pandehma se oferta e integrimit evropian për Serbinë do të ndikojë në çlirimin dhe kurimin e saj nga fantazmat irracionale të së kaluarës, nga megalomania, mentaliteti hegjemonik dhe do ta bëjë atë shtet përgjegjës e që do të sillet sipas parimeve demokratike ndërkombëtare, si dhe do t’i ndihmojë asaj të pavarësohet nga lidhjet simbiotike më “vëllaun e madh”, pra Rusinë, duket të jetë ende një iluzion.

Ky supozim, së bashku me atë demokratizimit të mundshëm të shtetit dhe politikës serbe, mjerisht shpesh herë ka ndikuar më tepër në një përkeqësim të situatës se sa në relaksim dhe krijim të perspektivave të qëndrueshme demokratike për zgjidhje të krizës.

Madje, Serbia këtë mirëkuptim të kohëpaskohshëm nuk e ka kuptuar si detyrim dhe ndihmë që po i bëhej asaj për ta gjetur një shtegdalje nga telashet ku e kishte zhytur veten dhe të tjerët, por si një llastim që po i bëhej.

Bie fjala, gjatë viteve ’90, asnjë nga shtetet e fuqishme të botës demokratike nuk i kishte përkrahur kërkesat për pavarësi të lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës. Diplomatët, përfaqësuesit e këtyre shteteve në vazhdimësi e potenconin paprekshmërinë e integritetit territorial të ish-Jugosllavisë të përbërë nga Serbia dhe Mali i zi. Kurse këtë absolutizim të sovranitetit shtetëror, Milosheviqi e kishte kuptuar si mbështetje për politikën e tij shtypëse në Kosovë, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe aparteidit. E ky afirmim i kufijve të jashtëm të ish-federatës jugosllave, bazohej në një shpresë naive nga përfaqësuesit ndërkombëtarë mbi domosdoshmërinë e demokratizmit të Serbisë.

Natyrisht, ishte kjo koha kur në skenën ndërkombëtare dominonte një optimizëm i pashoq mbi triumfin e demokracisë liberale. Lufta e ftohtë kishte përfunduar. Kurse teza filozofike mbi “Fundin e Historisë”, e artikuluar nga teoricieni i njohur amerikan Francis Fukujama ishte bërë dominante në diskursin politik të kohës. Sipas kësaj skeme mentale, rendi liberal-demokratik dhe ekonomia e tregut tash e tutje nuk do kenë më alternativa serioze ideologjike. Të gjitha opsionet tjera ishin diskredituar gjatë procesit evolutiv të historisë.

Ndarjet e mëdha që i kishte prodhuar “epoka ekstremeve” po zëvendësoheshin nga fryma e konvergjencës. Armiqtë e dikurshëm ideologjikë dhe politikë, nën erën e ndryshimeve, po i përqafonin të njëjtat ideale dhe qëllime sublime, siç ishin; ndërtimi i demokracisë dhe ekonomia e tregut, përkushtimi për shtet ligjor dhe zbatim të të drejtave të njeriut . Në agim të këtij rendi edhe Rusia e Boris Jelcinit formalisht shprehej se krejt çka aspironte ishte vetëm dëshira e saj që të jetë pjesëmarrëse në këtë rend.

Rrjedhimisht, ëndrra kantiane e paqes së përjetshme dukej më reale se kurrë. Kurse Bashkimi Evropian filloi të perceptohej si shembull perfekt i ndërtimit të “parajsës post-historike”. Robert Cooper, ish drejtori i përgjithshëm i çështjeve të jashtme të BE-së, po ashtu ish-ndërmjetës i Brukselit për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dikur shkruante se “BE-ja përfaqëson atë rend ndërkombëtar, ku interesat tradicionale nacionale dhe pretendimet territoriale ndërmjet shteteve zëvendësohen nga e drejta ndërkombëtare, institucionet supranacionale dhe një sovranitet i limituar”.

Në këtë koniunkturë globale, shumica besonin se kombet, shtetet dhe shoqëritë njerëzore, pavarësisht shkarjeve momentale nga parimet inherente të rëndit të ri botëror, nuk mund të kenë tjetër rrugë pos të “liberalizohen fillimisht në aspektin ekonomik dhe më pastaj politikisht, nëse dëshironin të ishin konkurruese e të mbijetonin në koherencë me rrethanat e reja”.

Krejt çka kërkohej ishte pritja dhe durimi. Sepse ky proces ishte i paradestinuar. E nxitur nga këto postulate doktrinare, bota kërkonte nga shqiptarët e Kosovës, që të prisnin demokratizimin e domosdoshëm të Serbisë. Dhe në fund qëllimet e tyre politike do të akomodoheshin me automatizëm.

Ishte kjo një shpërputhje flagrante ndërmjet realitetit brutal dhe projeksioneve futurologjike e tezave që e anticpionin historinë. Një vlerësim cinik, sipas së cilit shtypja e të drejtave të njeriut, diskriminimi, përjashtimi i një populli të tërë nga jeta publike, ekonomike, kulturore dhe arsimore, eksodi i heshtur dhe vuajtjet e panumërta të sotme të një populli, shërbenin si kusht absolut për demokratizimin e ardhshëm të një shoqërie dhe politike tjetër.

Nën shtysën e këtij besimi ideosinkratik, atëbotë nuk kuptohej se demokratizimi i Serbisë në ato kushte nuk mund të bëhej. Se në vend të solidarizimit me paradigmën e “fundit të historisë” shteti dhe politika serbe po e manifestonte një vullnet të paepur për ta ngujuar vetën dhe të tjerët në “burgun e historisë”. Ajo ishte shndërruar në panair ku gjallonin, kumbonin dhe buçisnin projektet antishqiptare. Pakkush atë botë i dëgjonte kambanat e alarmit dhe kronikën e krimit dhe gjenocidit të paralajmëruar.

Politika zyrtare e regjimit të Milloshviç-it akuzohej në atë kohë nga e ashtuquajtura opozitë serbe, jo për shtypjen që po e ushtronte mbi shqiptarët, por pse nuk ishte treguar efikase në zbatimin e “zgjidhjes finale” (final solution).

Shprehje e këtij deliri ishte performanca e radikalit Vojsllav Sheshel, atit shpirtëror dhe ideologjik të presidentit aktual serb Aleksandër Vuçiq. Kurse Miloheviqi me figurën e tij e shantazhonte botën se nëse do të ushtrohej presion mbi të, atëherë ata do të kishin punë me opsione edhe më radikale. Mirëpo, me Sheshelin si gogol, Milosheviqi kërkonte ta legjitimonte edhe ndërkombëtarisht sundimin e tij dhe njëkohësisht të dukej i moderuar e demokrat.

Gjithsesi, këtë lojë perverse politika serbe e përsërit në vazhdimësi. Ngjashëm sillej edhe ish-presidenti serb Boris Tadiç, duke e përdorur si kërcënim para botës demokratike ish-varrmihësin e qytetit të Kragujevc-it, Tomisllav Nikoliq, i cili, i pushtuar nga obsesioni i tij për ta rikthyer Kosovën nën sundimin serb, nuk nguroi ta dekoronte më medalje shtetërore Omar al-Bashir-in, presidentin atëhershëm të Sudanit, për shkak të qëndrimit kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse ky i fundit ishte i akuzuar ndërkombëtarisht për krimet kundër njerëzimit që i kishte bërë në Darfur.

Po ashtu Tadiqi e alarmonte botën edhe me kanakarin e T.Nikoliqit dhe V. Shesheljit, presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq, që dikur në rininë e tij, si një shërbëtor i përulur, u ofronte birra për t’i freskuar mentorët e tij ideologjikë dhe politikë gjatë sëkëlldisë që i kaplonte, derisa projektonin dhe zbatonin planet dhe strategjitë kriminale për gjenocid ndaj popujve tjerë.

Kjo lojë e dyfishtë është duke vazhduar edhe sot me Aleksandër Vuçiqin, ndonëse në mënyrë më të sofistikuar. Aktualisht pa opozitë reale dhe si dominues absolut i skenës politike serbe ai, sa herë shfaqet para kamerave, e merr një pamje trishtimi dhe paraqitet si një murg vetmitar, i lodhur dhe i rraskapitur nga barra që e ka mbi supe. Se është “i frikësuar nga mentaliteti i shoqërisë serbe” dhe po ashtu “është zëri i vetëm i arsyes që kundërshton bashkimin e Republikës Serbe të Bosnjës me Serbinë”. Që të gjithë e akuzojnë për tradhtar e që i duhet që në saje të një force titanike t’i mbajë nën kontroll të gjitha këto potenciale shpërthyese që gëlojnë pandërprerë në shoqërinë dhe shtetin e tij.

Me këtë kujë neveritëse elita politike serbe ia arriti që ta shmang ballafaqimin etik dhe juridik për tragjeditë e shkaktuara në fund të shekullit të kaluar dhe ta suspendojë fajin shtetëror për krimet e kryera nën emrin e miteve të tyre nacionale.

I imunizuar nga kjo ndjenjë, Aleksandër Vuçiqi sot merr guxim ta glorifikojë Milosheviqin dhe veprimet e tij gjatë vizitës në Kosovë, duke deklaruar se “ai ishte një lider i madh dhe më qëllime të mira”. Ky shembull tregon për zvjerdhjen e rëndë morale të kësaj politike. Pra që gjenocidi na qenka ide e mirë. E të mos flasim këtu se si në Serbi shumë shkolla, rrugë dhe institucione tjera mbajnë emrat e krimineleve të luftës Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq. Me këto veprime Serbia po tregon se në vend të pendimit, ballafaqimit me të kaluarën e saj dhe kërkimit të rrugëve shoqërore, morale, politike dhe psikologjike për përjetim të katarsisit individual dhe kolektiv, ka vendosur ta memorizojë dhe përjetësojë idenë e gjenocidit ndaj popujve tjerë.

Kjo mplkesje bizare e politikës, mitit, ideologjisë shtetërore nacionale, mentalitetit hegjemonik, oskilimit ndërmjet interesave materiale për perëndimin dhe lidhjeve shpirtërore me Rusinë, e pasqyron pellgun e veseve ku është ngjizur mentaliteti anti-evropian i këtij shteti. Fakte të tilla tregojnë më mirë se asgjë tjetër për vështirësitë e pakapërcyeshme të brendshme që e frenojnë Serbinë të përshtatet me logjikën e integrimit evropian, të transformohet dhe të pajtohet me realitetin dhe normat demokratike.

Kurse shpresa për t’i shndërruar negociatat që po mbahen në Bruksel në katalizator të integrimit të saj në strukturat e Bashkimit Evropian ishte njëra nga shtysat kryesore të organizmit të tyre. Serbisë i ofrohej perspektiva e integrimit evropian, mirëpo paraprakisht ajo duhej të çlirohej nga miti mbi Kosovën, nga deliri i madhështisë hyjnore, ta normalizonte veten dhe raportet me të tjerët.

Siç dihet, bisedimet fillimisht teknike e më pastaj politike, filluan pas miratimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vitin 2010, pak muaj pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar së shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tekstit të asaj rezolute, BE-ja, nëpërmjet Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), si lehtësuese e këtij dialogu do të “duhej të promovonte bashkëpunimin, të arrinte përparimin rrugës drejt BE-së dhe të përmirësonte jetën e njerëzore”. Prandaj edhe ky proces u quajt edhe dialog mbi të ardhmen evropiane.

Kurse Bashkimi Evropian për t’ia lehtësuar rrugën Serbisë, bëri një kompromis fatal me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Në vend se kolektivisht ta orientonte presionin mbi Serbinë për ta detyruar që ta pranonte pa kushte opinionin e GJND-së, nëse dëshironte të integrohej në BE, ky entitet zgjodhi një rrugë tjetër. Ndërkaq mungesa e një qëndrimi unik nga ana e BE-së e cenoi perspektivën e këtij procesi, që në fillim.

Madje ky deficit nga ana e BE-së ka ndikuar që qëndrimi i saj të mos dallohet prej atij të Rusisë dhe Serbisë në raport më të drejtën ndërkombëtare për rastin e Kosovës. Rrjedhimisht BE-ja i shpërfilli edhe parimet fondatore të saj, për të cilat dikur fliste Robert Cooperi.

Me këtë dualizëm jo korrekt , Brukseli me apo pa dëshirë, lejoi avancimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane pa e kushtëzuar atë të distancohet nga pretendimet territoriale në raport me Kosovën. Shkarje të tilla kanë ndikuar që asnjë nga objektivat e përcaktuara në fillim të këtyre negociatave të mos jetë arritur.

Janë ndërruar tre përfaqësues të lartë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, fillimisht Barnosha Catherine Ashton, më pastaj politikania italiane Fredrica Mogherini dhe tani spanjolli Josep Borrell, por përsëri po vazhdon e njëjta amulli. Kosova hyri në këtë proces më shpresën e realizmit të interesave të saj shtetërore për stabilizim të brendshëm të shtetit, avancim të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë dhe integrimin e saj në struktura e përbashkëta euro-atlantike. Mirëpo për shkak të dobësive të sipërcekura kjo agjendë është lënduar tej mase.

Lirisht mund të thuhet se ky proces ka pasur prapakthim dhe degjenerim. Tensionet, provokimet dhe përpjekjet për destabilizim nga ana Serbisë me ndihmën e Rusisë, jo vetëm në Kosovë, për ta bllokuar çdo marrëveshje të njëmendtë ndërmjet dy vendeve, por edhe intervenimet për grushtshtet në Mal të Zi me qëllim që ta pengojë integrimin e këtij shteti në kuadër të NATO-së, apo edhe përpjekjet për ta minuar dhe sabotuar referendumin e mbajtur në Maqedoni me anë të të cilit synohej të legjitimohej Marrëveshja e Prespës, ku më fund do t’i hapej rruga Maqedonisë së Veriut për tu integruar në NATO si dhe në BE, tregojnë qartë, se në vend të agjendës evropiane, Serbia mbetet e përkushtuar për zbatim të planeve gjeopolitike ruse. Maqedonia e Veriut arriti që të çlirohet në fund nga këto projeksione edhe falë prezencës së numrit të madh të shqiptarëve në atë shtet dhe dëshirës së tyre të ethshme për tu bërë me çdo kusht pjesë e botës demokratike perëndimore.

Për shkak të kësaj politike skizofrenike, shteti serb është shndërruar në strehë nga ku në vazhdimësi disperzohen forcat centrifugale anti-demokratike dhe anti-perëndimore. Është bërë vegël e doktrinës strategjike të kaosit, mentori ideologjik i së cilës mbetet presidenti i federatës Ruse Vladimir Putin. Dhe se në vend të evropianizimit të vetes ajo po zhytet gjithnjë e më shumë në ëndrrat e saj fantazmagorike të putinizmit të rajonit.

Këto tendenca rrënuese nuk mund të korrigjohen duke organizuar procese negociatore të pafundme dhe konfuze ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç po duket të jetë edhe fati i dialogut që sapo ka rinisur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Mirosllav Lajcakut dhe shefit të ri të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrel. Kosova dhe aspiratat e saj euroatlantike nuk mund të shndërrohen në kurban duke pritur pafundësisht demokratizimin dhe evropianizimin e Serbisë. Sepse ky rezultat nuk dihet se kur do të arrihet apo ndoshta edhe nuk mund të ndodhë kurrë. Nuk është mirë që të pengohen dhe shkallmohen potencialet e një shteti për shkak të gabimeve strategjike dhe manisë për relevancë despotike të një shteti tjetër

Po ashtu do të ishte gabim fatal nëse tentohet të improvizohet një proces negociator sa për të krijuar një përshtypje të rrejshme se shteti serb është shndërruar në palë konstruktive dialoguese me qëllim që t’i mundësohet hapja e kapitujve të mbetur në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Ky skenar do të ishte një kumt ogurzi jo vetëm për ëndrrat evropiane të Kosovës, por të mbarë rajonit.

Kosova e ka paguar njëherë çmimin e pamundësisë së demokratizimit të Serbisë. Prandaj ajo nuk guxon të shndërrohet në viktimë të dyfishtë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!