×
Opinione

Kapja e shtetit përmes patronazhit politik

Reporteri
11 Nëntor 2019 | 12:38

Autor: Besnik Boletini


Tashmë kur Kosova është drejt krijimit të qeverisë së re pas rezultatit zgjedhor të 6 tetorit, siç ka qenë praktikë e deritanishme, anëtarët e partive politike që kanë qenë të angazhuar në subjektet politike presin përfitimet. Ata zakonisht shpërblehen me vende pune, me tenderë dhe favorizime tjera.


Shfrytëzimi i pozitave vendimmarrëse dhe të mirave publike për qëllime private dhe partiake, njihet edhe si patronazh politik. Patronazhi, nepotizmi dhe klientelizimi janë ndër praktikat e kapjes së shtetit.

Patronazhi krijon pasoja shumëdimensionale dhe afatgjate për shoqërinë. Kjo për shkak se në pozita publike dhe shpesh me përgjegjësi të larta, vendosen persona që në të shumtën e rasteve kanë lidhje me partitë politike, e jo për shkak të përgatitjes së tyre profesionale. Rrjedhimisht edhe gjatë kryerjes së punës, militantët partiakë në radhë të parë janë në shërbim të partisë së tyre.

Duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, patronazhi ushqehet në mënyrë strukturore nga shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë. Interesimi për t’u punësuar në institucionet shtetërore është më i kërkuar për shkak të punës së sigurt dhe pagës. Një gjë e tillë nuk është edhe në sektorin privat.

Shtrirja dhe konsolidimi i patronazhit politik në Kosovë bëhet kryesisht për qëllime të dyfishta: Shpërblim dhe kontroll.

E para do të thotë se anëtarët e partive shpërblehen me pozita të larta vendimmarrëse, si për shembull sekretarët e përgjithshëm të ministrive, drejtorët e departamenteve etj., dhe këta të fundit e “shumëfishojnë vetën”, duke punësuar anëtarë të tjerë të partisë në institucionet që i kanë nën menaxhim. Pra ka një shtrirje vertikale dhe horizontale të patronazhit.

Sipas një hulumtimi që kemi realizuar bashkë me kolegët e Preportr, ku kemi shikuar vetëm pozitat e larta të zyrtarëve që deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për periudhën 2010-2016, ka rezultuar se 406 zyrtarë të lartë[21]  kanë lidhje me partitë politike dhe se numri i punësimeve politike është në proporcion të drejtë me partitë që kanë qenë në pushtet. Në bazë të metodologjisë së hulumtimit, lidhja me një parti politike është konsideruar kur zyrtari i lartë publik, ka konkurruar në zgjedhjet lokale apo nacionale, ka qenë ose vazhdon të jetë anëtar strukturave të partive, ka qenë këshilltar politik, ose ka pasur pozita politike.

E dyta ka të bëjë me kontrollin. Pasi që anëtarët e partive punësohen në pozita të zyrtarëve të lartë dhe kanë pozita vendimmarrëse, ata kontrollojnë prokurimin, burimet njerëzore dhe menaxhimin financiar. Ata shpesh e shpërndajnë buxhetin duke bërë favorizime në proceset tenderuese për anëtarët e partive dhe kompanitë që kanë financuar partitë politike. Kjo dukuri ndryshe njihet edhe si klientelizëm. Se klientelzimi i këtij lloji është shumë i përhapur e tregon një hulumtim i Preportr mbi këtë çështje. Vetëm brenda periudhës gusht 2007-2014 janë shpërndarë  220 milionë euro[22]  tek financuesit e partive.
Për shembull, kompania “R&Rukolli” e ka financuar PDK-në me 5 mijë euro, ndërsa ka fituar nga institucionet shtetërore hiq më pak se 12 tenderë me vlerë prej 21 milionë e 843 mijë e 595 euro. Ose kompania “Ndërtimi” e ka financuar po këtë parti me 3 mijë e 500 euro dhe ka fituar pesë tenderë në vlerë prej 5 milionë e 318 mijë e 179 euro. Në këtë mënyrë[23]  “merr-jep” janë shpërblyer dhjetëra kompani tjera.

Pasojat e patronazhit, nepotizmit dhe klientelizimit janë të shumta, duke filluar nga punësimi i njerëzve që nuk janë të përgatitur për ta kryer punën si duhet, e deri të favorizime në dhënien e tenderëve. Kur një tender jepet me favorizime, llogaridhënia në përmbushjen e kontratës dhe mbikëqyrja është e dobët. Prandaj shohim shpesh raportime se një rrugë apo një shkollë është dëmtuar disa muaj pasi është ndërtuar.

Për shkak të patronazhit dhe nepotizmit, shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë humbur besimin se mund të punësohen në institucionet shtetërore mbi bazën e meritokracisë. Sipas raportit “Pulsi Publik XV[B4] ” i publikuar në shkurt të vitit 2019 nga UNDP dhe USAID, “shumica e qytetarëve të Kosovës (68.8%) ende besojnë se faktorët jo meritorë, janë faktorët më të rëndësishëm në sigurimin e punësimit në sektorin publik”.

Kosova me nivel të lartë të shtrirjes së patronazhit

Hulumtimi më i plotë deri më sot mbi patronazhin është realizuar në vitin 2012 nga tre profesorë të politikës krahasuese: Petr Kopecký, Peter Mair, dhe Maria Spirova. Profesorët në fjalë kanë studiuar patronazhin politik në 15 shtete evropiane. Për të parë shtrirjen e patronazhit, ata kanë realizuar intervista gjysmë të strukturuara me 641 ekspertë nga këto 15 vende. Profili i të intervistuarve ka përfshirë akademikë, drejtues të OJQ-ve që merren me këto çështje, nëpunës civilë, gazetarë dhe zyrtarë të partive politike. Sipas këtij studimi, Britania e Madhe renditet më së miri me indeks të patronazhit 0.09, ndërsa më së keqi Greqia me indeks 0.62.

Duke ndjekur të njëjtën metodologji, instituti D4D në vitin 2013 ka realizuar një studim mbi shtrirjen e patronazhit në Kosovë. Të dhënat tregojnë se indeksi i patronazhit në Kosovë ishte 0,93, vlerë e cila renditet shumë më lartë se të gjitha 15 shtetet evropiane që janë marrë [25] në krahasim, dhe shumë më e lartë se mesatarja 0,34 për të gjitha këto shtete.

Shtrirje të patronazhit ka pasur në vazhdimësi në administratën publike. Partitë që kanë qenë në pushtet e kanë shfrytëzuar mundësinë për të punësuar anëtarët e tyre në pozita të ndryshme. Konkursi në këto raste ka qenë vetëm formalitet. Afera “pronto” ka qenë vetëm një shpërfaqje e vogël e kësaj dukurie.

Edhe institucionet arsimore, sidomos në nivelin parauniversitar kanë qenë target i patronazhit dhe nepotizmit. Punësimi në pozitat e drejtorëve, mësimdhënësve dhe stafit ndihmës janë kontrolluar nga partitë politike. Ky ndikim ka edhe qëllime elektorale për shkak të numrit të madh të të punësuarve në institucionet arsimore. Sipas statistikave[26]  për arsimin parauniversitar të publikuara nga Ministria e Arsimit për vitin shkollor 2018/2019, në shkollat e Kosovës janë të punësuar 28 mijë e 131 persona. Në këtë shifër përfshihen mësimdhënësit, personeli administrativ dhe ai ndihmës.
Siç duket, duke i pasur parasysh këto shifra, ish-kryeministri Thaçi “kujdesej” që mësimdhënësve t’u shtronte dreka e darka dhe t’u premtonte rrije të pagave. Këtë zakonisht e bënte para zgjedhjeve.

Kontroll mbi çdo gjë

Partitë që kanë qenë në pushtet për një kohë më të gjatë PDK dhe LDK, e kanë shtrirë ndikimin në çdo institucion, përfshirë pozitat e larta në agjencitë e pavarura,  misionet diplomatike dhe konsullore, por edhe në universitetet publike si dhe ato shëndetësore.

Shumica e drejtorëve dhe stafit menaxhues [27] në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë lidhje me partitë politike. Dikush mund të jetë mjek dhe menaxher i mirë, por nuk mund bëhet drejtor i klinikës pa kaluar nga “dera e partisë”.

Ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura për shumë vite janë bërë çerdhe të punësimit të militantëve partiak. Marrja nën kontroll e tyre zakonisht ka qenë edhe pjesë e pazareve gjatë negociatave për koalicione qeveritare. Për shembull në periudhën 2015-2016 kur LDK ishte në pushtet, është vërejtur rritje e dukshme të zyrtarëve të lartë [B8] që janë punësuar në ndërmarrjet publike dhe agjenci të pavarura që kanë lidhje politike me këtë parti. Sipas metodologjisë së cekur më lartë që e ka përdorur Preportr, në këtë periudhë janë evidentuar 12 zyrtarë që kanë lidhje  me LDK-në.
Ardhja në pushtet e kësaj partie ka ndikuar që numri i punësimeve politike të rritet krahasuar me katër vitet paraprake (2010-2014), ndërsa i atyre që kishin lidhje me PDK-në të bie.
Të dhënat tregojnë se ka pasur një cikël rrotativ, ku janë larguar zyrtarët e PDK-së dhe janë zëvendësuar me ata të LDK-së. Në këtë rast ka pasur ç’kapje të pozitave të larta prej njërës parti, për t’u kapur nga tjetra.

Tendencat për normalitet jonormal

Pas shtrirjes së patronazhit politik dhe nepotizmit në të gjitha institucionet si në aspektin vertikal, ashtu edhe në atë horizontal, ka pasur tendenca që kjo dukuri të paraqitet si normale në opinion. Kjo ka ndodhur gjatë qeverisjes së koalicionit PDK-AAK-NISMA.

Pas publikimit në media të emrave të qindra personave që janë punësuar në Telekomin e Kosovës, në ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura, disa nga deputetët e koalicionit në fjalë kanë filluar të paraqesin këtë si një gjë normale.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demaliaj, me 19 mars 2019 gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka deklaruar se “sikur të mundja me i punësuar të gjithë të AAK-së sonte i kisha punësuar. Të gjithë e kanë bërë këtë e pse të mos e bëjmë edhe ne. Me admirim e them se pse të mos jenë të punësuar ata të Aleancës. Nëse janë të barabartë unë e kisha pranuar në punë atë që është me AAK-në”.

Këtë qasje e ka përkrahur pas disa ditëve në të njëjtin emision edhe kolegu i tij nga radhët partisë NISMA, Haxhi Shala, duke deklaruar se “ai të ka besuar ty dhe vjen pas teje. Përderisa më ka besuar mua edhe unë ia besoj punën. Por gjithçka në kushte të barabarta”.

Deklaratat e këtyre deputetëve tregojnë realitetin se si funksionojnë institucionet, por në këtë rast siç duket është tentuar të shkohet një hap më tutje, të normalizohet diçka jonormale dhe të pranohet si e tillë nga shoqëria. Në një shtet ku sundon ligji dhe prokurorët punojnë pa ndikime politike, deputetët në fjalë do të duhej të hetoheshin për shkak të paralajmërimit publik të kryerjes së një vepre penale që ka të bëjë me shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës si dhe keqpërdorim eventual të detyrës zyrtare.

Pasojat në sistemin e vlerave

Kur flitet për sistemin e vlerave në një shoqëri, përgjithësisht ka një pajtueshmëri mes studiuesve të sociologjisë se shoqëria vendos se çka është e mirë dhe e vlefshme. Pra se cilat janë edhe karakteristikat që e përcaktojnë rolin dhe prestigjin në shoqëri. Në Kosovë, në vitet e fundit kapja e shtetit përmes formave të kontrollit, ndër to patronazhi politik, ka ndikuar edhe në ndryshimin, përkatësisht deformimin e sistemit të vlerave shoqërore.

Sigurisht që krijimi dhe kultivimi i dukurive devijante si korrupsioni, klinetelizimi patronazhi politik, nepotizmi etj., kanë pasur dhe kanë koston e tyre, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe funksionimin si duhet të institucioneve. Por këto dukuri kanë shkaktuar edhe një dëm të madh, jomaterial duke prekur sistemin e vlerave shoqërore në Kosovë.

Më konkretisht, dikush që është përfshirë në afera korruptive, ka bërë favorizime në tenderë, punëson të tjerët me një telefonatë dhe nga e gjithë kjo është pasuruar dhe bënë jetë luksoze, i tilli tashmë konsiderohet si njëri i zoti, i zhdërvjelltë, i mençur. Në vend që të konsiderohet hajdut, kriminel dhe dëmtues i interesit publik. Ai për një pjesë të shoqërisë ka një prestigj të madh shoqëror. Gjendet në hierarki të lartë shoqërore. I përket elitës shoqërore.

Edhe publikimi i kohëpaskohshëm i dyshimeve për afera korruptive të këtyre individëve, në vend se t’ua dëmtonte reputacionin, të një pjesë e shoqërisë ka ndodhur e kundërta. Për më keq, të tillët kanë filluar të shihen edhe si tipa ideal në shoqëri. Ata përkrahen vazhdimisht dhe marrin mijëra vota. Për shembull disa nga ata që u përfshinë në aferën “pronto” si Zenun Pajaziti e Besim Beqaj morën pozita të rëndësishme. I pari u zgjodh sërish deputet në zgjedhjet e kaluara, i dyti u emërua ministër.

Krijimi i një qeverie të re përmes koalicionit LVV dhe LDK do të ishte një mundësi e mirë për të filluar përmirësimin e situatës në këtë aspekt. Është një mundësi për të filluar ndaljen e kapjes së institucioneve të pavarura, ndërmarrjeve publike, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive etj. Aty duhet të zgjidhen njerëz mbi bazën e meritokracisë

Ndërkaq, duke marrë parasysh situatën aktuale të shtrirjes së patronazhit politik, duhet të fillohet me matjen e përformancës dhe llogaridhënien. Fakti se numri më i madh i të punësuarve është në administratën publike, aty duhet të fillohet së pari. Gjithashtu duhet të bëhen vlerësime periodike për të gjithë shërbyesit civil lidhur me profesionalizimin e tyre për punën që e bëjnë. Rrogat e tyre të mos rriten me automatizëm, por të ofrohet një skemë e rrogës bazuar në rezultatet e përformancës.

*Ky shkrim është realizuar si pjesë e kurrikulës së Shkollës Politike të Prishtinës

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!