×
Opinione

Kujtime të luftës (3) – Jeta në shtetrrethim-1999: Tmerri në Lagjen e Muhaxhirëve…

Reporteri
21 Maj 2020 | 15:05

Autor: Besim Kajtazi



Muajin mars e prill i kaluam pa dëme në familje dhe në lagje. Mirëpo, gjërat nisën të vështirësohen në muajin maj. Pak më tej, në Lagjen e Muhaxhirëve,  në  mëngjesin e 12 majit 1998, pas një shkëmbimi zjarri me forcat serbe bie Agron Rrahmani,  për të cilin më vonë mesuam se ishte pjesëtarë i gueriles së Prishtinës. Në mëngjes mësuam se ai ishte plagosur rëndë dhe e kishin strehuar në një shtëpi të kësaj lagjeje, që nuk ishte më larg se 150 metra  në vijë ajrore nga shtëpia, mirëpo, policia nuk e kishte gjetur trupin e tij…


Pas kësaj,  qëndrimi në kryeqytet u vështirësua edhe më shumë… Nisën ekspeditat e kontrollimeve të shtëpive, rrahjet dhe burgosjet, ndërkohë që në lajme vazhdimisht dëgjonim se emisarë të shumtë ndërkombëtarë po ia mësynin  Beogradit për të parandaluar shkallëzimin e mëtejmë të luftës dhe për të negociuar marrëveshjen e “paqes”! Por, me Serbinë më nuk kishte paqe. Aleanca  ushtarake e NATO-së, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkonte kapitullimin e Beogradit…

Më 14 maj ndodhi masakra në fshatin Qyshk të Pejës, ku u vranë 44 meshkuj të fshatit. Në mesin e tyre ishin edhe babai i komandantit të UÇK-së Agim Çeku, si dhe babai i gruas së Xhavitit, Kimetes, Kadri Çeku. Ajo për vrasjen e babait mësoi tek pas dy javëve…

Për lajme në radio e kishim specialist Xhavitin. Ai gjatë gjithë kohës qëndronte me një transistor në vesh, duke i ndërruar  stacionet  vazhdimisht… lajme çdo 30 minuta për 24 orë…

Në ballkonin prapa shtëpisë rrinim ditën me babain, Zekirija Cana  kishte dalur në oborr, e pak më lartë fqinji serb Zhivota…

Ishte ora rreth 12 e 45, kur u panë në qiell avionët e NATO-s, teksa nisën bombardimet…

Zhivota, i frikësuar nga shpërthimet, pyeti Zeqën.

“Zeqo, šta je ovo”,  ( Zeqo, çka është kjo), duke piskatur dy herë…

Zeqa vetëm i rrudhi krahët dhe nuk foli. Nuk foli as babai, ndërkohë që shiheshin avionët mbi qiellin e Prishtinës…

Më 19-23 maj 1999, ndodhi edhe masakra në Burgun e Dubravës

 

Më 18-21  maj 1999, Prishtina përjetoi shtetrrethimin e hekurt… Forcat policore serbe nisën fushatën e gjerë të burgosjeve nëpër lagjet e shumta, “Velania”, Kodra e Diellit”, “Lagja e Muhaxhirëve”, “Aktashi”, “Ulpianë“, duke hyrë shtëpi për shtëpi…

Të gjithë ata të rinj që ziheshin e që nuk ishin banorë të qytetit, që kishin ikur nga zonat e luftës, arrestoheshin dhe me automjete dërgoheshin në stacionet policore, kurse pas marrjes në pyetje e torturave , një pjesë dërgoheshin  në burgjet ekzistuese, në Prishtinë e Lipjan…

Pati raste që njerëzit mbaheshin edhe nëpër kafene, por edhe banesa të braktisura, siç ishte rasti me  Shaip Kaçiun, të cilin pasi e  rrahin, e dërgojën në Burgun  e Lipjanit…

Por nuk u kursyem as ne që ishim  banorë rezidentë të kryeqytetit…

Prishtina, përkundër të gjitha atyre dëbimeve masive, kishte njerëz dhe rini, por jo edhe armë, për t’iu kundërvu pushtuesit…

Më 19 maj,  herët në mëngjes babai na zgjoi dhe na kumtoi lajmin që e kishte marrë nga Resmia (gruaja e Zeqës) se lagja jonë ishte rrethuar  dhe se policia po hynte shtëpi për shtëpi… Pritëm se çka do të ndodhte . Rreth orës 11:00,policia  erdhën edhe në shtëpinë tonë…  Nga dritarja vështronim , kur polici me emrin  Sinisha, me një tjetër, në fillim dolën nga shtëpia e Balajve, në rrugë ishin me Venetin dhe Venanin,  të cilët njëherë i nxorën në rrugë, dhe pas një bisede të shkurtër i lejuan të kthehen  në shtëpi…

Në radhë ishte shtëpia jonë. Të veshur dhe me armë të gjata  ia mësyen derës së oborrit.  Por, para kësaj e mora qenin e shtëpisë Rion dhe e lidha pas shtëpisë, duke  e strehuar  nga frika se do të  mund ta vrisnin…

Erdhën  dhe hyrën në oborr. Ata si duket kishin pasur informata se në shtëpi kemi shumë njerëz të strehuar, dhe kur e panë se nuk e gjetën asnjë të ardhur, pasi hallakatën nëpër dhoma , pyetën pse kaq pak njerëz!

Së pari erdhën në katin përdhesë,më nxorën jashtë mua dhe gruan time.

-Kush është lartë ?-pyeti polici, duke na urdhëruar që të mos provojmë asgjë,përndryshe do të gjuajnë në ne !

Gruaja, ia ia ktheu : Çka të provojmë , kur fëmijët i kemi brenda!…

U ngjitën një kat më lartë,u dëgjua zëri i babait duke i paraqitur anëtarët e familjes,ndërsa Veliun e zbritën poshtë.

Me Veliun na nxorën në rrugë, duke na kërcënuar se po qe se tentojmë të ikim do t’na vrasin menjëherë.

Motrat dhe nëna u shqetësuan shumë.  Në shtëpi u krijua një gjendje e rëndë.  Motrat qanin , mirëpo, çdo përpjekje e tyre e edhe e gruas që ti shpëtonim arrestimit  ishte e kotë. Në rrugë papritmas u  shfaq edhe komshiu  Branko i veshur në uniformë të policisë rezerviste dhe bëhej se nuk po shihte çfarë po ndodhte,  kurse edhe fqinjët e tjerë serbë as që dolën jashtë, por vetëm vështronin nga dritaret…

Policët e kontrolluan edhe shtëpinë e Hajzerit, djalit të axhës, por nuk e arrestuan. Ata  shtireshin kinse nuk e dinin se cilat ishin shtëpi të shqiptarëve e cilat të serbve dhe trokitën në derën e një serbi …

Unë ju thashë, serbë janë ata!

“Çka ka lidhje!”, ma ktheu Sinisha, dhe na qitën përpara, drejt rrugës, aty ku tash është  selia e OSBE-së, ku prisnin të arrinte  furgoni e t’na ngarkonin. Nuk vonoi shumë dhe erdhi një furgon i kaltër pa dritare. Na futën në furgonin, të cilin me siguri ia kishin marrë ndonjë tregtari shqiptar, e brenda ishte përplotë me të   arrestuar dhe mezi merrnim frymë,  pa ditur se ku po na dërgonin. Rrugës, u hap dera e prapme, e pashë në rrugë priste edhe Bislim Bajraktari me mikun e tij Agron Beselica.  Furgoni pas një kohë, duke mbledhur të arrestuar të tjerë nëpër lagje, u ndal…

Posa na nxorën jashtë,  e kuptova se na kishin sjellë në stacionin policor të Lagjes së Muhaxhirëve, ku na prisnin policë të shumtë, ndër to edhe gra serbe, të cilët  në gjuhën serbe  shanin : “U majku  vam  jebem,  vidi koliko  josh terrorista ostalo!” (U nënën ua q… shiko sa  terroristi ende paska mbetur)  …

Na rreshtuan një nga një  dhe shkallëve na dërguan në bodrumin e ndërtesës  dhe gjatë tërë kohës duhej të qëndronim në këmbë  dhe me duart pas qafe…

Aty e pashë i sollën edhe vëllezërit Fadil dhe Ekrem Gashi, kishte edhe studentë dhe refugjatë të tjerë, ndër ta ishte edhe nipi Abedin Mehmeti  nga Klina e Mesme.

Në radhë duhej të prisnim  të na bënin testin e parafinës dhe të na merrnin në pyetje. Fadili dëgjonte zhurmën e aeroplanëve jashtë dhe lutej: “Ishalla na gjuajnë edhe këtu një bombë e na mbysin”!

Stacioni ishte mbushur me shqiptarë të arrestuar. Në dhomat e kateve të larta dëgjoheshin sharjet e britmat e policëve, duke rrahur e torturuar të burgosurit…

Na futën në dhomën  ku kryhej testi i parafinës, dhe ata që dilnin pozitiv (se kinse kanë mbajtur armë) dërgoheshin në katin e lartë,  ku i nënshtroheshin torturave dhe rrahjeve… Pozitiv doli vëllau Veliu dhe menjëherë ia ngjitën nofkën “snajperisti”!

Pas testit, nëpër shkallë, dy nga dy na mbështetën për muri me duar pas qafe dhe duhej të prisnim vendimin se cka do të bënin me ne… Disa shkallë më lartë  e pashë qëndronte edhe Haqif Mulliqi, i cili gjatë luftës drejtonte gazetën  “Kombi”. Mendova se ai do ta pësonte keq, pasi kishte shkruar shumë për luftën dhe ishte takuar me figura e komandantë të shumtë , nëpër zona të ndryshme .  I dëgjova  disa policë duke thirrur   “gde je onaj gllumac” (ku është ai aktori)…mirëpo edhe  Haqifi  ishte në listën e të liruarve…

Rreth orës 19, disa grupe i zbritën poshtë dhe i futën nëpër kamionë, për të cilët  më vonë  mësuam se i kishin dërguar në Burgun e Lipjanit.

Në këtë grup ishte edhe vëllai Veliu,  me disa shokë: Fadilin, nipin Abedinin, Bislimin,  të cilët  i futën në kamionë, ndërkohë që unë me Ekremin,  e disa të tjerë, në orën 20:00, u lejuam të ktheheshim në shtëpi…

Në dalje Veliu më kishte parë të mbështetur për muri, mirëpo unë nuk e pashë atë…

Ata që pritej të liroheshin u njoftuan nga komandiri i policisë , më duket quhej Zvonko, apo Zoran… Në  korridor të stacionit të policisë, mbi një tavolinë ishin hedhur letërnjoftimet, të cilat na i kishin marrë gjatë arrestimit, kurse unë e kisha letërnjoftimin në xhep, ngase gjatë arrestimit policia nuk ma kërkoi…

Komandiri urdhëroi: “Atij  që ia thërras emrin,  vjen e merr letërnjoftimin dhe shkon në shtëpi!”

Të parët që dolën iu nënshtruan rrahjeve me shkelma e grushte nga kordoni i policisë që qëndronte në të dy anët e korridorit … U “lodhën” duke sjellë në njerëzit  që nuk rezistonin dhe gjatë daljes, për të marrë sa më pak të rëna, ata vraponin duke e mbrojtur kokën me duar, kurse policët shfrynin epshet e tyre  duke i goditur pa mëshirë në çdo pjesë të trupit. Gjatë daljes  nga këto goditje,  disa veta pësuan edhe  thyerje të duarve  e  brinjëve…

Duke shikuar këtë skenë, me vete mendova,  kur të gjithë dalin, unë do të mbes vetëm këtu, ngase mua nuk kishin mundësi të ma thërrisnin  emrin, pasi që e kisha letërnjoftimin me vete…

Në këto mendime, vendosa t’i drejtohem në gjuhën serbe policit, duke e mbajtur letërnjoftimin në dorë.

“Gospodine, meni niste mi uzeli liçnu kartu, sta da radim”? (Zotëri, mua nuk ma keni marrë letërnjoftimin, çka  të bëj?)

Herën e parë nuk më dëgjoi, si duket nga zhurma në korridor,  si pasojë e sharjeve e rrahjeve që po ndodhnin, të atyre që po i “lironin”…

Pas dy-tre minutave,  përderisa  numri i të arrestuarve po pakësohej,  vendosa të rrezikojë edhe njëherë dhe iu drejtova me të njëjtat fjalë komandirit të policisë…

Këtë herë më dëgjoi, ngase si duket policët ishin lodhur duke i rrahur të  “liruarit”  dhe kërkonin “pushim”!

Komandiri  m’u drejtua  duke më bërtitur me fjalët:

“Marrsh kuqi, piçka ti materina!” (Ik në shtëpi he nënën ty)!…

Dola, duke ecur, dhe për fatin tim shpëtova nga goditjet e policëve, të cilët për çudi vetëm shikonin. Në dalje tek shkallët, një polic, më duket  se ishte mbi 65 vjeçar, na kërcënoi në gjuhën serbe, duke na thënë: “Mos mendoni se mund të fshiheni diku! Kur të duam, do të vijmë, do t’ju marrim nëpër shtëpi dhe do t’ju  vrasim!”…

Me vete thash: “Në dalsha njëherë prej këtu, më n’dorë s’ju bie i gjallë…

(Vijon)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!