Mëngjes në fashizëm

Autor: Arben Idrizi


Fashizmit nuk ia duron lehtë mideja mjetet e informimit. Për shembull, fashizmi i Vetëvendosjes e ka një parullë orwelliane: Mediet duhet të informojnë KREJT dhe DREJT


Vetëvendosje, e kam thënë e stërthënë, është lëvizje fashiste. Ka qenë një puro fashizëm gjatë aktivizmit të saj parapolitik dhe e ka përforcuar edhe më shumë prej se është kthyer në lëvizje politike dhe ka synuar marrjen pushtetit. Herën e parë kur erdhi në pushtet, ishte një lloj lehtësimi për të gjithë ata që si unë ia kanë frikën fashizmit, sepse ishte në bashkëqeverisje të plotë me një subjekt tjetër, ideologjikisht të kundërt dhe kështu gjasat e balansimit ishin të mëdha. E megjithatë ajo qeverisje nuk pati jetë veçse për pak ditë. Gabonim. Fashizmi nuk ka bashkëshorte. Është beqar përdhunues.

Nuk është një fashizëm që ka pikur nga qielli. Nuk është fashizëm që ka mbirë nga ferri, në ndonjë natë të errët të ndonjë frike a kiameti. Është thjesht fashizmi i rëndomtë, të cilit ia ka shtruar rrugën me lule për njëzet vjet një qeverisje banditësh të rrugës (subjektet e dala nga lufta, ose lëvizja e armatosur) dhe banditëve me kravatë (lëvizja paqesore). Është fashizmi që në kohë normale demokracie e zhvillimi thjesht rri i strukur në gjirize, duke u cakërruar dhëmbët nga frustrimi, pa mundur ta nxjerrë kokën as për të marrë pak diell.

Për njëzet vjet LDK, PDK dhe AAK në vend se ta ushtronin qeverisjen, e kanë ushtruar banditizmin dhe krimin e organizuar. Kanë shkuar deri aty sa nuk ka një gjë të vetme për të cilën do të mund të thoshin: në rregull, nuk kemi lënë të zezë pa bërë, por ja këtë nuk do ta bëjmë. Thjesht, nuk ka pasur të zezë që nuk do ta bënin, deri aty ku nuk ndërhynte presioni ndërkombëtar. Aty ndaleshin, sigurisht. Arsyet mund të jenë të ndryshme.

Pushteti i tyre ishte pushteti i arrogancës së liderit dhe të bëmës. LDK përdorte aurën e liderit, Ibrahim Rugovës, që i kishte prirë lëvizjes paqesore për një dekadë. Kjo është arroganca e liderit. Subjektet e dala nga lëvizja e armatosur përdornin aurën e bëmës së tyre, natyrisht të hiperbolizuar dhe mitizuar. Pak rëndësi kishte. Arroganca e bëmës ua mundësonte ta ushtronin arrogancën e rrugës, pushtetit. Si rezultat, nuk ka mbetur e mirë e pëbashkët pa u keqpërdorur, vjedhur e plaçkitur. Vetëm sepse mundnin dhe vetëm sepse, si ata banditët e lagjës, shkonin me mendjen se askush nuk guxon t’u thotë se i kanë zytë e zinj.

Kjo, me pak fjalë (pa e injoruar rrezikun që mund të sjellë ky thjeshtëzim), është rruga e shtruar me lule për fashizmin. Fashizmin e Vetëvendosjes. Kjo ka bërë që Vetëvendosje, fashizmi, sot ta ketë arrogancën e popullit (përkatësisht votës). Arroganca e popullit është, s’do mend, ku e ku më e rrezikshme se ajo e banditizmit të rrugës. Sepse, në fund, edhe fashizmi është banditizëm, por banditizëm ideologjik. Dallimet janë esenciale. Banditizmin e rrugës një ditë edhe e mposht, atë ideologjik është bukur më zor.

Arroganca e popullit (votës) sot ia lejon fashizmit të përpiqet ta kontrabandojë ligjin për zgjedhjet. Atë që e bëjnë për të mirën e tyre, duan ta shesin për të mirën e përbashkët. Arsyetimet i kanë para veprimeve. Sepse së pari prodhojnë arsyetime, pastaj veprime që nuk janë veprime në vetvete e për vete, por si pasojë direkte të arsyetimeve. Arsyetimi është e mira e tyre, dobia e tyre; madje, parimi i tyre.

Arroganca e popullit (votës) ua mundëson të kenë lehtësinë fashiste ta imponojnë ligjin për konfiskimin e pasurisë, duke ua mësyrë kundërshtarëve dhe të tjerëve pa asnjë provë dhe pa asnjë aktgjykim. Tjetri është armiku. Drejtësia është ajo që ndien dhe mendon fashizmi. Një herë ndalohesh, pastaj i gjejnë (sajojnë) provat dhe i nxjerrin përfundimet. Kur të harxhohen kundërshtarët, të tjerët janë populli (votuesit).

Arroganca e popullit (votës) bën që dështimet e pushtetit (fashizmit) të shihen si sajesë e mediave, kundërshtarëve, armiqve të popullit. Mediet duhet të hetohen. Duhet të mbahen nën kontroll. Duhet të informojnë DREJT dhe KREJT.

Janë zbythur në këto tri raste? Me gjasë po. Asnjë lehtësim. Asgjë nuk ka përfunduar. Për më tepër, më e rëndësishmja: zbythja tregon se jemi duke ngrënë kafjall. Kafjalli është i lehtë. Në drekë servohet ushqim më i fortë.