Mos ta flakim fletoren e vjetër

Autor: Gjergj Meta


Ditën e parë të vitit ndoshta e ngarkojmë më shumë se sa mund të mbajë. Ajo mbart shumë shpresë e ëndrra. Mjafton të lexojmë urimet që i kemi dërguar njëri-tjetrit. Por, në fund të fundit edhe ajo ka vetëm 24 orë në dispozicion. Ndoshta jemi pak të padrejtë me të.


Secili nga ne me datë 31 dhjetor, gati si pa e kuptuar, dëshiron ta mbarojë atë fletore e të nisë me datë 1 janar një fletore tjetër nga e para.

Por, ne nuk mund të shkruajmë një faqe të re, nëse nuk kemi mësuar nga “zhgarravinat”, gabimet e fletores së vjetër.

Ajo fletore që mbyllëm nuk mund e as nuk duhet të flaket tej. Mbetet aty në arkiv ndoshta, por është historia jonë e vetëm e jona: me të mirat e të këqijat e saj.

Ne, katolikët e nisim ditën e parë të vitit me Marinë Hyjlindëse. Është figura amnore, femërore ajo që na shoqëron si një kasafortë e historisë tonë. Kush më mirë se nënat mbart kujtimet, hapat dhe fjalë tona të para? Kush më shumë se ajo njeh tek ne çka ne nuk e mbajmë mend?

Të kesh një këndvështrim të tillë mbi kohën do të thotë ta jetosh atë në mënyrën e duhur: me një sjellje të vazhdueshme shoshitjeje dhe meditimi.

Koha, historia janë mësuese jete. Sot nisim një kohë të re, një vit të ri. Qoftë një vit plot me kuptim për secilin prej nesh!

Rrugëtim të mbarë!