×
Opinione

Ne duhet t’i japim fund kësaj urrejtjeje dhe të fillojmë t’i shohim myslimanët si qenie njerëzore

Reporteri
17 Mars 2019 | 14:10

Autor: Ayesha Hazarika


Kur u zgjova të premten në mëngjes me lajmin për masakrën në dy xhami të qytetit Christchurch në Zelandë të Re, u ndjeva shumë keq. Por fatkeqësisht, jo tërësisht e befasuar. Kisha frikë se një dhunë e tillë do të ndodhte, por kurrë nuk mund ta imagjinoja deri në këtë masë – 50 myslimanë, burra, gra dhe fëmijë të vrarë në gjakftohtësi me saktësi të tillë klinike, metodike dhe të publikuar në mediat sociale.


Islamofobia është dhe ka qenë në rritje për një kohë të gjatë. Myslimanët janë demonizuar, dehumanizuar dhe  janë dënuar në shkallë industriale nga shoqëria që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Asnjë grup tjetër shoqëror nuk është dënuar për mëkatet e babait në një mënyrë kaq sistematike dhe të pranueshme.

Politikanët, komentatorët, njerëzit me influencë dhe mediat e djathta kanë zhvilluar një luftë të tillë kundër myslimanëve që me kohë është bërë normale.

Njeriu më i fuqishëm në planet, presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar që myslimanët të përjashtohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me gjasë kryeministri i ardhshëm britanik dhe ish-Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, ka bërë shaka në llogari të grave myslimane duke thënë se ato duken si “kuti letrash”. Pas këtyre komenteve, Tell Mama, një organizatë që evidenton incidentet e urrejtjes kundër myslimanëve, raportoi se sulmet ndaj grave myslimane u rritën dukshëm.

Gratë myslimane shpesh përballen me sulme të tilla, si tërheqja e shamisë së kokës kur janë duke i marrë fëmijët nga shkolla.  Imagjinoni se çfarë i bën kjo një fëmije mysliman të frikësuar dhe të hutuar? Kemi respektuar komentatorë të profilit të lartë të cilët thonë se islamofobia nuk ekziston duke aluduar se “ata”, pra myslimanët e kanë shpikur atë vetë për shkak të terrorizmit.

Kjo është sikur të themi se për shkak të atij burri mizor, çdo mashkull i bardhë 28 vjeçar tani duhet të përballet me paragjykime. Është argument primitiv dhe absurd. Megjithatë elitat në pozicione të fuqishme vazhdojnë ta përsërisin këtë, megjithëse ata duhet ta dinë më mirë.

Pohimi se  të gjithë myslimanët janë disi të predispozuar ndaj dhunës apo terrorizmit është i rrezikshëm dhe i gabuar. Shumica e myslimanëve – veçanërisht emigrantët e mbajnë kokën poshtë, duan një jetë të qetë dhe paqësore dhe duan të qëndrojnë larg telasheve. E di këtë sepse vetë jam myslimane dhe e njoh komunitetin tonë. Ne nuk jemi jashtë për të shkaktuar telashe. Ne nuk vijmë që të “pushtojmë”, ne vijmë që të sigurojmë një jetë më të mirë për veten tonë.

Ne menaxhojmë dyqanet tuaj, ngasim taksitë tuaja, ju ushqejmë natën vonë kur keni pirë apo kujdesemi për ju kur jeni të sëmurë. Ne i shërbejmë komunitetetit tonë. Megjithatë, ne jemi bërë viktima të urrejtjes, ngacmimit dhe tani edhe terrorizmit.

Sulmet – verbale dhe fizike – për myslimanët janë një kurs i zakonshëm. Por shoqërisë me sa duket nuk i bëhet vonë. Jeta dhe vuajtja jonë me sa duket nuk kanë rëndësi për shkak se shihemi si qytetarë të dorës së dytë apo si “njerëz të këqij”.

Unë qava të premten në “CNN talk” duke menduar për trishtimin e gjithë kësaj. Ishte një ditë e zezë. Por nëse ka ndonjë dritë në këtë mes, ato ishin ngushëllimet e njerëzve nga mbarë bota, të cilët dërguan mesazhe  solidariteti dhe mirënjohjeje. Nëse mund të mësojmë një leksion nga horrori në Christchurch, ai është se ne duhet t’i japim fund kësaj urrejtje dhe të fillojmë t’i shohim myslimanët si qenie njerëzore, ashtu si të gjithë të tjerët.

*(Ayesha Hazarika është një komentatore britanike, shkrimtare dhe ish-këshilltare politike. Artikulli është shkruar për CNN dhe nga origjinali është përkthyer nga Reporteri.net).

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!