×
Opinione

Pakti Putin-Kim Jong-un është mundësi për Perëndimin

Autor:Ana Palacio
24 Qershor 2024 | 17:00

Pakti i mbrojtjes Rusi-Kore e Veriut nuk lë asnjë dyshim për vendosmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për të përmbysur rendin ekzistues ndërkombëtar. Por marrëveshja gjithashtu mund të tensionojë marrëdhëniet e Kremlinit me Kinën, duke prishur potencialisht përpjekjet ruso-kineze për të minuar unitetin perëndimor.

Qershori ka qenë muaj i ngarkuar për presidentin rus Vladimir Putin. Në një fjalim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, ai paraqiti kushtet e tij për negociatat e paqes me Ukrainën dhe propozoi krijimin e një sistemi alternativ të sigurisë ndërkombëtare në bashkëpunim me Kinën.

Një javë më vonë, gjatë një vizite dy-ditore në Phenian, ai nënshkroi paktin strategjik të mbrojtjes me diktatorin koreanoverior Kim Jong-un. Rusia dhe Koreja e Veriut u zotuan t’i ofrojnë njëra-tjetrës ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast lufte, duke mos lënë asnjë dyshim për vendosmërinë e Kremlinit për të minuar rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke formuar aleanca me autoritarë anembanë botës.

Në fjalimin e tij një orësh më 14 qershor, pak para samitit për paqen të udhëhequr nga Ukraina në Zvicër, Putin trajtoi një gamë të gjerë temash. Ai filloi me të ashtuquajturën “operacion ushtarak special” në Ukrainë, diskutoi për daljen e pashmangshme të një rendi të ri multipolar dhe adresoi përpjekjet perëndimore për të “penguar zhvillimin e Jugut Global,” duke përmendur presidencën e Rusisë në grupin BRICS+ (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut, si dhe Egjipt, Etiopi, Iran, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe).

Përveç ankesave të tij të zakonshme, Putin përmendi kushtet e Rusisë për paqen në Ukrainë, duke kërkuar që forcat ukrainase të tërhiqen nga katër rajonet e aneksuara nga Rusia në vitin 2022. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpejt i hodhi poshtë këto kushte, të cilat kanë ngjashmëri të madhe me ultimatumin e lëshuar nga Putin në fillim të pushtimit. Refuzimi i Zelenskyt u pasua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili theksoi se është Rusia ajo që duhet të tërhiqet nga territori ukrainas. Edhe analistë të njohur rus i konsideruan kërkesat e Putinit si të parealizueshme, duke i parë ato si përpjekje për të ushtruar presion mbi Perëndimin dhe jo si përpjekje të sinqertë për të arritur paqen.

Putini gjithashtu konfirmoi edhe një herë se Rusia është në luftë jo vetëm me Ukrainën – të cilën e konsideron një përfaqësuese – por me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Duke parashikuar kolapsin e afërt të “të gjithë sistemit të sigurisë Euro-Atlantike” dhe duke dënuar strategjitë perëndimore për sigurimin e mbrojtjes së Evropës, Putin paraqiti plann me pesë pika për krijimin e një sistemi euroaziatik të garancive të sigurisë kolektive dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Ky kuadër, argumentoi Putin, do të plotësonte iniciativat globale të sigurisë të Kinës, duke shënuar një fazë tjetër në partneritetin pa kufij të Rusisë me Kinën. Duke theksuar se aleanca e re e sigurisë do të ishte e hapur për anëtarët e NATO-s, Putin i nxiti vendet evropiane të rishqyrtojnë praninë ushtarake të “fuqive të jashtme në rajonin euroaziatik” – largim i qartë nga parimet e NATO-s.

Teksa këto argumente nuk ishin të reja, theksi mbi Jugun Global, veçanërisht Afrikën dhe Amerikën Latine, vërehej. Ashtu si demagogë dhe autoritarë të tjerë, Putin theksoi rëndësinë e BRICS+ si kundërpeshë gjeopolitike ndaj fuqisë perëndimore dhe shprehu mbështetje për përpjekjet për të zhvilluar sistemin e pavarur të pagesave për vendet anëtare, të lirë nga kontrolli perëndimor. Kjo është pjesë e strategjisë më të gjerë të Rusisë për të minuar arkitekturën ekzistuese financiare globale, duke zbutur kështu ndikimin e sanksioneve ekonomike të udhëhequra nga SHBA-ja.

Koha e fjalimit të Putinit nuk ishte e rastësishme. Ajo pasqyronte përpjekjen e vazhdueshme të Kremlinit për të formësuar debatet kritike të politikave në Perëndim dhe për të ndikuar në fushatat zgjedhore në vende si Franca, ku Partia Kombëtare e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen mund të minonte përpjekjet evropiane për të krijuar strategjinë koherente ndaj Rusisë.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Putinit iu kushtua Bashkimit Evropian, të cilin ai e ka konsideruar prej kohësh të nënshtruar ndaj SHBA-ja. Në përpjekje të qartë për të ringjallur ndarjet e vjetra, ai iu drejtua “politikanëve të vërtetë evropianë dhe globalë” që janë “patriotë të vendeve dhe kombeve të tyre” dhe që, si ish-Presidenti francez Charles de Gaulle, kuptojnë se mirëqenia e Evropës varet nga mbajtja e marrëdhënieve miqësore me Rusinë.

Putin, sigurisht, nuk përmendi përpjekjet e tij për të minuar rendin ekzistues global. Së bashku me Kinën, Rusia ka vepruar prej kohësh si pengesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por veprimet e fundit të Rusisë – si përdorimi i vetos për t’i dhënë fund misionit humanitar në zonat e kontrolluara nga rebelët në Siri dhe për të mbyllur panelin e  ekspertëve që monitoronte përputhshmërinë me sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut – kanë alarmuar diplomatët ndërkombëtarë.

Kushtet e paktit të sigurisë me Kim janë të ngjashme me traktatin e vitit 1961 midis Bashkimit Sovjetik dhe Koresë së Veriut dhe përfaqësojnë përshkallëzim të rëndësishëm, madje edhe sipas standardeve të Putinit. Përveç mbështetjes koreano-veriore për luftën e agresionit të Putinit në Ukrainë, marrëveshja sinjalizon mbështetje të shtuar ruse për ambiciet bërthamore të Kim, në dëm të fqinjëve të Koresë së Veriut, duke përfshirë Kinën.

Si reagim, Koreja e Jugut thirri ambasadorin rus dhe njoftoi se do të shqyrtojë dërgimin e armëve në Ukrainë. Kina, partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut, ka kërkuar të distancohet nga kjo aleancë e pamoralshme. Por avancimet e Rusisë mund të zhbëjnë përfundimisht ndikimin e Kinës mbi Korenë e Veriut dhe të përshkallëzojnë tensionet me Perëndimin, duke rrezikuar ambiciet afatgjata gjeopolitike të presidentit kinez Xi Jinping.

Duke marrë parasysh që Putini e ka të pamundur të heqë dorë nga përpjekjet e tij për të shkatërruar unitetin perëndimor dhe për të minuar rendin aktual ndërkombëtar, Perëndimi duhet të përqendrohet në shfrytëzimin e çdo ndarjeje të mundshme, qoftë edhe të vogël, midis Rusisë dhe Kinës. Në këtë drejtim, aleanca e Putinit me Kim ofron mundësi ideale për të dobësuar partneritetin ruso-kinez.

Ana Palacio, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Spanjës dhe ish zëvendëspresidente dhe këshilltare e përgjithshme në Wordl Bang Grup, është ligjëruese në Universitetin Georgetown. Përthkthyer nga Reporteri.net.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!