×
Opinione

Politika e cila i duhet Kosovës

Reporteri
11 Nëntor 2019 | 22:00

Autor: Alban Miroci 


Shtetit të Kosovës i duhet një ‘Politikë e re’, në hartimin e ligjeve adekuate për evitimin e problemeve politike, ekonomike dhe sociale. Kopjimet e ligjeve që po bëhen nga vendet fqinje nuk po na përshtaten. Po ashtu, këtij vendi një ‘politikë e re’ i duhet edhe për zbatimin e ligjeve në të gjithë Republikën e Kosovës.


Nuk ka dyshim që ne, sot, kemi edhe ligje të mira, mirëpo ato shumë pak i zbatojmë, pra të tilla janë vetëm në letër. Përveç në aspektin legjislativ, një ‘politikë e re’ duhet edhe në atë ekzekutiv: programe gjithëpërfshirëse për stimulimin e te rinjëve, të diplomuarve që janë një numër i madh, dhe kurrsesi nuk mund ta gjejnë veten në tregun e punës, programe stivuese për biznese të reja dhe për bujqit.

Në ketë kontekst, ‘politika e re’ duhet të angazhohet për kthimin e identitetit te pensionistëve të Kosovës, te cilët duket sikur po e urrejnë shtetin në te cilin kaluan pjesën më të madhe te jetës se tyre. Kjo politikë e re është shumë e domosdoshme për politiken e brendshme, për strukturat institucionale, natyrën e sistemit partiak dhe për demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi. Qytetarit të Kosovës i duhet një ringjallje e tillë, pas shumë lodhjesh dhe marrjesh me politika ditore dhe llafeve nëpër kafene, në mënyrë qe t`i largojnë nga koka e tyre temat e rënda, si historia që kemi kaluar si popull, ndikimi i personaliteteve historike, lufta e fundit etj.

Se cili do të jetë ai faktor politik i cili do ta zhvendosë një linjë të përgjithshme nacionale dhe të rregulloj mirëqenien e përgjithshme qytetare nuk dihet por kjo mbetet të shihet dhe sigurisht se ai faktor do ta bëjë një kthesë historike dhe do ta zë një vend të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. Duke e marrë parasysh se interesi shtetëror vjen nga brenda, nga fuqia e popullit, është e domosdoshme një ‘politikë e re’ gjithëpërfshirëse.

Përderisa është e qartë se në një shoqëri normale demokratike ndryshimet duhet t`i bëjnë institucionet, por këtu tek ne kjo nuk po ndodh. Prandaj, po shihet se ndryshimet duhet të fillohen nga poshtë, nga vet qytetarët apo nga ndonjë parti e re, sepse këto që ekzistojnë nuk e kanë as idenë më të vogël se çka në të vërtete do të thotë ky koncept. Një gjë është e sigurt, se ai njeri apo subjekt politik që mijëra të rinjve që bredhin rrugëve, do të ua kthejë shpresat e humbura do të ketë përkrahje të madhe qytetare, nga ata që nuk po dalin në zgjedhje.

Përkrahja për këtë njeri do të jetë e madhe, sepse politika e vjetër u ka ardhur njerëzve në maje të hundës dhe shoqëria jonë është e gatshme dhe nuk i mungojnë potencialet për një ‘politikë te re’. Po ashtu, është e sigurt, se ai lider i cili do ta proklamon dhe do ta zbaton ketë politikë të re, ashtu siç bëri edhe presidenti historik i SHBA-së, Franklin Roosvelt, para tetë dekadave, do të jetë prej personaliteteve me të mëdha historike të vendit tonë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!