Zgjedhjet apo zgjidhja?

Autor: Shkelzen Maliqi 


Gjatë 11 viteve prejse është shpallur Republika e Kosovës çdo bërje dhe zhbërje e qeverive zbulonte zbrazëtirat në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që shkaktonin huti dhe vonesa në zhvillimin e proceseve. Edhe aktualisht, pas dorëheqjes së parevokueshme të Kryeministrit Haradinaj, u krijua një vakum i pushtetit. Askush nuk ka përgjigje të qartë se si duhet të plotësohet ky vakum, përkatësisht se a e ka Kosova qeverisje funkcionale dhe me çfarë kompetenca, qoftë si detyrë transitore e Qeverisë së dorëhequr, qoftë si një mekanizëm tjetër zëvendësues për periudhën deri në inaugurimin e Qeverisë së re, që sipas përvojave të mëparshme, mund të zgjasë disa muaj.


Një pjesë e përgjegjësisë për gjendjen e krijuar duhet t’i adresohet neglizhencës dy javore të Presidentit Thaçi, prej të cilit pritej që të vepronte menjëherë me autoritetin e përgjegjësit për tejkalimin e vakumit qeverisës. Nuk ka vlerë arsyetimi me mungesën e rregullave të shkruara për këto raste. Si autoritet që mbron interesin e vendit, nga Presidenti pritej veprimi dhe jo heshtja që në opinion krijonte përshtypjen e manovrimeve politikaneske për “blerje të kohës”. Konsultimet me partitë politike është dashur të fillojnë menjëherë për të dëgjuar opinionet dhe qëndrimet rreth dy opcioneve që Kushtetuta i ka paraparë për tejkalimin e vakumit të pushtetit: 1. Të vlerësojë, gjatë konsultimeve, mundësinë e propozimit të një mandatari të ri për Kryeministër, i cili do ta udhëhiqte Qeverinë në dy vitet e ardhshme, deri në fund të mandatit të Kuvendit aktual. Kuptohet, Presidenti e ka në dorë vetëm propozimin e mandatarit, ndërkaq që për t’u bërë kryeministër kandidati duhet ta fitojë votëbesimin e Kuvendit.

2. Nëse Presidenti gjatë konsultimeve bindet se partitë parlamentare nuk kanë disponim për propozimin e mandatarit të ri dhe preferojnë organizmin e zgjedhjeve të parakohshme, ai menjēherë dekreton shpërbërjen e Kuvendit dhe shpallur datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Shtrohet pyetja pse Presidenti, në këtë rast, u përcaktua për mosveprimin?

Kanë qenë dy arsye që frenonin ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme. E para lidhet me shqetësimin e deputetëve, por edhe të partive, që shpërbërja e Kuvendit të mos ndodhë para 3 gushtit, datës kur Kuvendi aktual mbush gjysmën e mandatit. Çështja është se Kuvendi ligjërisht duhet të jetë funksional të paktën gjysmën e kohës së mandatit, që ky mandat të konsiderohet si i plotë, me çka deputetët sigurojnë privilegje të konsiderueshme.

Për deputetët dhe partitë kapërcimi i “pragut” të 3 gushtit ka qenë i rëndësishëm, jo vetëm për mosdëmtimin e interesave personale të tyre, por edhe vetë partitë shqetësoheshin se një pjesë e deputetëve të “dëmtuar” (të pasigurt se partia do t’i kandidojë sërish, e edhe nëse po, se do të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të ri), mund ta pengojnë me votën e tyre shperbërjen e Kuvendit.

Po kështu ekzistonte edhe një arsye madhore pse Presidenti preferoi “blerjen e kohës” e mosveprimin. Ndonëse shumica e deklarimeve publike krijonte përshtypjen se procesi pashmangshëm çon drejt shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme, Presidenti nuk e ka pasur komoditetin e menjanimit të opcionit të parë që e kishte në dispozicion, atë të rikonstruktimit të Qeverise me propozimin e një Kryeministri tjetër. Sipas disa burimeve, edhe diplomacia ndërkombëtare ka bërë presion në Presidentin të mos ngutet me shpalljen e zgjedhjeve pa e shterrur mundësinë e opcionit të parë. Sipas diplomatëve, bazuar edhe në sondazhet mbi disponimin e elektoratit, zgjedhjet do të ishin vetëm humbje kohe, sepse Kosova do të mund të mbetëj pa Qeveri aktive disa muaj, ndoshta deri në fund të vitit 2019. Analizat e tyre përfshinin edhe faktin tjetër djerrakohës, se edhe Serbia i ka të programuara zgjedhjet e rregullta në pranverën e vitit 2020, dhe duke ditur se edhe atje krijimet qeverisë zgjasin nga disa muaj, kjo do të ishte një pengesë shtesë e prolongimit të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi.

Ndërkaq, dihet se për faktorët ndërkombëtarë, dialogu është prioriteti më i rëndësishëm politik. Andaj diplomatët e këshillonin Thaçin (dhe jo vetëm atë): harrojeni zgjedhjet, ato zakonisht nuk janë decidive dhe përfundojnë me raporte të njejta ose të ngjashme forcash, por koncentroheni te vazhdimi dhe përfundimin e dialogut për arritjen e marrëveshjës finale.

Për marrëveshjen finale të huajt janë shumë më optimist se palët në Prishtinë dhe Beograd, që duhet ta negociojnë atë.

Këshilla konkrete ndaj subjekteve politike të Kosovës (dikush e përjetonte atë si presion) është që Kosova të pëcaktohet për një kryeministri të ri qoftë nga strukturat e koalicionit PAN, (thuajse e pamundshme nëse kihet parasysh qëndrimi i prerë kundër i kryeministrit të dorëhequr Haradinaj), qoftë duke e krijuar një koalicion të ri, më të gjërë, ku do të përfshiheshin edhe subjektet jashtë PAN-it, para së gjithash LDK-në. Për këtë të fundit oferta joshëse do të ishte dhënia e postit të kryeministrit.

Edhe kjo ide e kyçjes së LDK-së në tejkalimin më afatgjatë të vakumit vendimarrëa, mund të jete shpjegimi shtesë për hezitimin dyjavor të Presidentit. Ai e ka pritur 3 gushtin për ta parë epilogun e zgjedhjeve në LDK-së, se cili do të jetë fitues dhe udhëheqës i saj në një garë tejet nervoze (Isa Mustafa ose ndonjë tjetër pretendent), për të kërkuar pastaj nga ai edhe një herë “sakrificën pë interesit madhor”, përkatësisht krijimin e një qeverie të unitetit me detyra taksative: pezullimin për periudhën 4 deri 6 mujore të taksës për importet e mallrave nga Serbia dhe BiH, riparimin e plotë të marrëdhënieve të vështirësuara me SHBA-të dhe BE-në në binaret normale të partneritetit strategjik dhe, eventualisht, si epilog, pas hapjes së rrugës për vazhdimin e dialogut, arritjen e marrëveshjes finale të normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjell Kosovë-Serbi.

Në favor të këtij spekulimi flasin faktet se aktualisht në qarqet diplomatike sërish dëgjohen mjaft zëshëm mendimet se vazhdimi dhe përfundimi i dialogut është prioritet dhe urgjencë absolute; ku madje edhe marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi shihet si e “programuar” për t’u kryer shpejt, më së voni deri në pranverë të vitit 2020!

A ka gjasa për një projeksion të këtillë optimist? Apo është kjo një rrugë e lajthitjes, siç besojnë pesimistët që këtë skenar e shohin si mjaft të rrezikshëm?

Argumenti në favor të spekulimit “optimist” është se në analizat e proceseve aktuale gjeostrategjike po ngulmohet në idenë se Kosova duhet ta shfrytëzojë konjukturën relativisht të volitshme aktuale në raportet gjeostrategjike mes fuqive të mëdha, ku mund të hapet mundësia e njohjes universale të pavarësisë së Kosovës, si prioritet mbi të gjitha prioriteteve për shtetin e Kosovës.

Ideja e konjukturës mund të vlerësohet si e dyshimtë nëse raportet SHBA-BE-Rusi, si aks qëndror në superstrukturën aktuale gjeostrategjike, shikohen si raporte statike dhe pariparueshëm të acarruara dhe jo si raporte dinamike që aktualisht janë në kërkim të mënyrave për shtendosje. Çështja është se skeptikët në mesin tonë besojnë se konflikti mes superfuqive karshi çështjes së Kosovës ka ma shumë elemente për brengosje sesa për optimizëm. Rusia po punon për trazimin e Ballkanit, jo për shtendosje, thonë ata.

Megjithatë, nga qendrat e vendosjes kemi paralelisht edhe sinjale tjera, p.sh. se në relacionet SHBA- Rusi ka përpjekje për shtendosje ku në margjinat e “pazareve” për sanimin e pasojava të krizave në Lindjen e Afërt, në bazenin e Detit të Zi me epiqendër Ukrainën e disa të tjera, hapet edhe mundësia që fuqizimi i pavarësisë së Kosovës të jetë pjesë e akordeve pasi që është element i rëndësishëm për rrumbullaksimin e sistemit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Në kontekstin tonë sikur është humbur ndjeshmëria për zhvillimet globale dhe dëgjimi me kujdes i këshillave të partnerëve strategjik, ndoshta pë arsye se edhe ata nuk janë sa duhet të koordinuar dhe të një mendimi. Po kështu, është vështirë të parashikohen edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë pas raporteve tejet të tensionuara mes subjekteve politike, të cilëve, edhe për shkak inateve dhe mërrive personale, u mungon koordinimi elementar rreth çësthjeve strategjike të interesit kombëtar dhe shtetëror.

Në këtë kontekst pezullimi i taksës mbase nuk është e vetmja alternativë racionale për bllokadat që janë krijuar artificialisht për kapërimin e hendeqeve që po i has Kosova në rrugëtimin për stabilizim dhe përparim. Do të ishte recionalitet e shkallës më të lartë edhe pezullim i përkohshëm i idesë se zgjedhjet janë shpëtim dhe çojnë drejt epilogut të duhur. Më shumë dobi do të kishte nga shtyerja e zgj3edhjeve dhe pë\rgatitja e tyre më e mirë se mbajtja e tyre me pasojën krijimi i qeverive me zorre, inate dhe koalicione të detyrueshme joparimore. Zgjedhjet mund të mbahen vitin tjetër, e tani do të ishte e udhës të koncentrohemi në bashkëpunimin e brendshëm dhe me partnerët strategjik, për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga procesi negociator.

P.S. Këtë koment e pata përfunduar kur erdhi lajmi se Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ia ka dërgur letrën Presidentit Thaçi ku thotë se koalicioni PAN nuk ka kandidat tjetër për Kryeministër dhe ftoi për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që të përgatitut seanaca e shpërbërjes së Kuvendit.

Zgjedhjet tani bëhen të pashmangshme, pos nëse Kuvendi nuk voton kundër vetëshpërbërjes.