E ftuar në televizionin e famshëm amerikan ABC, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, flet me krenari për prejardhjen e saj shqiptare dhe për rrugëtimin si një ikonë globale e muzikës pop.
E pyetur nga gazetari për rrugëtimin dhe ndikimin e rrënjëve nga Kosova në formimin e saj në Londër në artin që krijon, Rita shprehet se thelbi i formimit të saj artistik dhe personal është pikërisht prejardhja e saj. Rita nuk heziton të shpreh krenarinë e saj për origjinën shqiptare:
“Mund të flas për këtë përgjithmonë. Kurrë nuk e harroj nga vij. Qysh në fillimet e mia, më shumë se një dekadë më parë, kam folur gjithmonë hapur për prejardhjen time si emigrante, për familjen time si refugjatë dhe sa shumë do të thotë kjo për mua. Më është dhënë mundësia të arrij ëndrrat e mia, dhe kjo është diçka që nuk e marr kurrë si të mirëqenë.” – u shpreh artistja.
Pos të tjerave, Rita e ndien veten edhe si përkrahëse të brezit të ri. Nisur nga shembulli i vetes, si një refugjate në Mbretërinë e Bashkuar, e shndërruar në ikonë të muzikës pop, Rita i mbështet gjeneratat e reja në ndjekje të ëndrrave dhe në të qëndruarit optimist për të ardhmen.
“Arti im gjithmonë është mbështetur në integritetin personal, jo në atë që është “cool” për momentin.” – shtoi Rita.
Gjithashtu ajo foli edhe për ndikimin dhe rolin e rrjeteve sociale në jetën e saj, duke pranuar se i pëlqen TikTok-u dhe rrjetet e tjera, por në procesin krijues mbetet besnike ndaj vetvetes dhe thelbësore e sheh të qenur reale dhe e vërtetë me veten.
Në formimin e saj personal dhe në rrugën e krijimit të një identiteti të pavarur, Rita e konsideron si hap të madh edhe momentin kur i propozoi martesë bashkëshortit të saj:
“Ishte momenti im me mikun tim më të mirë. Ende është. Dhe nuk e mendova shumë derisa njerëzit filluan të më thoshin: ‘Wow!’ Por unë mendoj se kjo duhet të normalizohet. Jemi po aq të fuqishme sa burrat që propozojnë tradicionalisht.”, raporton KultPlus.com