×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Aplikoi për kredinë që nuk e mori kurrë, sot borxhli me 85 milionë Lekë

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 23:04

    Ligor Begaj, një qytetar nga Fieri tregoi në emisionin “Stop”, se në vitin 1994 ka aplikuar për një kredi prej 10 milionë lekësh të vjetra në Bankën e Kursimeve të asaj kohe dega Fier. Shumën e kredisë nuk e mori për shkak të problemeve të tij.


    “Jam Ligor Begaj dhe i jam drejtuar emisionit tuaj për një problem që më ndjek ndër vite. Në vitin ‘94 kam bërë një aplikim për të marrë një kredi, e cila nuk u mor dhe nuk kam nënshkruar asnjë kontratë dhe asnjë akt detyrimi. Bëhej fjalë për 10 milionë lekë të vjetra”.

    Begaj nuk e priste, që në vitin 2019 të mësonte, se kishte një kredi të pashlyer, që kishte kapur shumën 80 milionë lekë të vjetra. Këtë absurditet e mësoi nga përmbaruesja Kozeta Caka, e cila i kishte bllokuar pagën.

    “Nuk e mendoja se do të ekzistonte një detyrim apo një shumë e tillë që m’u shfaq në vitin 2019 nga përmbaruesja Kozeta Caka. Më bëri ndalesën e pagës, ndërkohë që unë u njoftova nëpërmjet bankës kur shkoj tërheq pagën”, tha Begaj.

    Kredia, të cilën Ligori pretendon, se nuk e mori kurrë e menaxhon Agjencia e Trajtimit të Kredive. Në kushtet, kur nuk jetonte dot pa rrogë, u detyrua të bënte marrëveshje, që t’i mbahej 1/4-ta e pagës.

    “Më thotë gjeje vetë kush i ka marrë lekët dhe ne i ke marrë, nuk i ke marrë do t’i mbajmë paratë. Unë detyrohem nënshkruaj dhe thotë në rregull do mbaj një të katërtën”, tha Begaj.

    Çështja shkoi në gjyq dhe në vitin 2010 u mor vendim nga gjyqtari Skënder Damini, që një proces verbal, të njihej si dokument për marrjen e kredisë.

    “Vendimi gjyqësor për çudi në vitin 2010 kur është bërë është bërë nga një gjyqtar që më pas rezulton i zhytur në botën e krimit dhe të ryshfeteve. Aty përcaktohet që ky vendim merret pa prova shkencore, pa dokumentacion. Çmenduria më e madhe është kur e përcaktuam çështjen gjyq. Gjyqtari Alfred Konomi na ka mbajtur 5 muaj, ndërkohë që duhej të vepronte brenda 5 ditësh. Bëmë kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. E njëjta çështje ndahet me dy gjyqtarë, njëra gjykon përmbaruesin dhe ATK, dhe një tjetër ATK dhe përmbarimin. Këta tani kërkojnë nga unë që të paguaj 85 milionë lekë të vjetra për një gjë që unë nuk e kam marrë. Për çfarë ta paguaj, ndaj kujt? Prandaj iu jam drejtuar për drejtësi”, tha Begaj.

    Avokati Kondi Ilia thotë, se urdhri i ekzekutimit është i pabazuar në një titull, pasi nuk ka një kontratë, apo mandat, që provon kalimin e shumës së kredisë tek Ligor Begaj. Sipas avokatit, vendime të mëparshme të Gjykatës së Lartë, nuk e kanë pranuar proces-verbalin si titull.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!