Dy ditë para zgjedhjeve në PD, Basha: Të tregojmë që s’jemi në gjunjë

Dy ditë para zgjedhjeve për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha kreu aktual i selisë blu dhe njëherazi kandidat për kryetar ka zhvilluar një takim me demokratët në Peqin.


Gjatë fjalës së tij, Basha ka thënë se gara, konkurrenca brenda selisë blu tregon se PD është familja e vlerave.

“Ndaj, sot me të vërtetë ndodhem para jush në këtë garë të brendshme e cila do të finalizohet ditën e dielë më proçesin e votimit një anëtar një votë. Por, mesazhi kryesor që kam para jush dhe ai që kam pasur para çdo demokrati e çdo demokrate gjatë gjithë këtyre javëve është: se me të vërtetë në familjen tonë nuk ka asnjë të tepërt, se familja jonë është familja e vetme e vlerave dhe këtë e tregon edhe gara që bëjmë, konkurrenca që kemi, debati që bëjmë brenda nesh.
Por se nuk duhet të harrojmë për asnjë sekondë të vetme, për asnjë çast e në veçanti këto orë drejt të dielës dhe vetë të dielën, misionin që kemi mbi supe, përgjegjësinë që kemi karshi njëri-tjetrit por mbi të gjitha karshi shqiptarëve, mos të harrojmë për asnjë sekondë se qëllimi ynë final është të largojmë kundërshtarin e vetëm, armikun e vetëm të Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe Partisë Demokratike, regjimin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe bandave të tyre”, tha Basha.

Më tej Basha theksoi se nga gara për kreun e partisë PD duhet të dalë e vendosur dhe e bashkuar.

“Ndaj, kam refuzuar dhe refuzoj ta përdor këtë garë të brendshme për asgjë tjetër përveçse për t’u bërë bashkë me ju dhe për t’u mobilizuar të gjithë së bashku edhe një herë betejën që është e vetmja rrugë për t’u përballur dhe për të çmontuar regjimin që kemi përballë. Ndaj, ajo që duhet të bëjmë është që përmes pjesëmarrjes masive të tregojmë forcën tonë, faktin që jo vetëm nuk jemi në gjunjë por jemi kokë lartë, se betejën e kemi bërë me vlera dhe janë të tjerë njerëz që duhet të jenë më kokën poshtë në Peqin, Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë për atë që iu kanë bërë qytetarëve të tyre. Duhet të dalim nga kjo betejë mendjendarë e jo të çoroditur. Duhet të dalim nga kjo betejë të vendosur e të bashkuar siç jemi, për t’i shkuar deri në fund luftës për demokraci”, tha Basha.