Flet nëna e 15-vjeçares që u përdhunua nga pesë persona: Kërkoj nga shteti të më mbrojë vajzën

Nëna e 15-vjeçares së përdhunuar nga 5 persona, ku me 4 prej tyre kishte dhe lidhje gjaku, është bërë sërish sot pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” në ‘News24’.


Në një lidhje telefonike nëna nga Mirdita tregoi se vajza aktualisht ishte në një qendër për të marrë kujdesin e duhur pas dramës së madhe ku u përfshi. Sipas saj, gjendja e vajzës së saj paraqitej pak më e stabilizuar.

Mes të tjerash ajo i bëri thirrje autoriteteve që të dënojnë 5 autorët, dhe mos t’i falin për asnjë arsyeje.

“Situata është më e normalizuar. Kam folur me vajzën. Më ka thënë se e ndjen veten më të lehtësuar. Kur flas pak, duket se është më e lehtësuar. E ka pasur shumë të rëndë që të lehtësohet gjendja e saj në ato kushte ku kishte. Jo për kushtet familjare, por në kushtet ku kishte rënë. Kërkoj nga ana juaj drejtësi, mos të falet asgjë. Të vihet ligji në fuqi dhe mos të ketë falje. Kërkoj nga shteti të më mbrojë vajzën. Mos të ketë shanse që të ata të telefonojnë, të mos falen. Jam e tronditur. Jam bërë për psikologe”, -tha me zërin duke u ngashëryer nëna.