×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Gërmime në Durrës, arkeologët thonë se po arrijmë në zonën e banesave ilire

    Reporteri
    29 Maj 2019 | 16:12

    Nëntoka e Durrësit vazhdon të joshë arkeologët me pasuritë e shumta të saj. Këto ditë, një grup arkeologësh shqiptaro-francezë kanë nisur gërmimet pranë Forumit Bizantin, një monument i trashëgimisë sonë kulturore që daton në shekujt V-VI.


    Arkeologët po kryejnë studime mbi topografinë e Durrësit në lashtësi, pasi gjatë ekspeditës së vitit të kaluar nën këtë monument dolën në dritë fragmente muresh dhe kanalizimesh që i përkasin një periudhe shumë më të hershme, asaj romake.

    “Shtëpitë këtu janë dëmtuar ndoshta nga zjarri, ose ndonjë shkatërrim i dhunshëm siç është tërmeti. Kemi më shumë nivele të qytetërimeve të lashta këtu. Kjo zonë banimi mund të shtrihet deri në shek.I para.erës.sonë, po mund të arrijmë dhe në zbulimin e godinave ilire të banimit. Nëse jemi me fat dhe do të kemi kohë do të mund të zbulojmë dhe nivele të tjera të civilizimit arkaik”, tha Catherine Abadie Reynal, Universiteti i Lionit, Francë.

    Forumi, apo Shesh-Tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik, fare pranë lagjes së vjetër të zejtarëve në Durrës.

    Sipas arkeologëve, poshtë gjetjeve të fragmenteve të godinave romake të banimit, mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike dhe asaj ilire, pasi Durrësi, në çdo periudhë dhe pas çdo shkatërrimi, është ndërtuar gjithnjë mbi veten./Top Channel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!