×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta bën fushatë: Ndëshkoni me votë qeverinë, Shqipëria pret përmbysje të madhe

    Reporteri
    16 Janar 2021 | 19:32

    Edhe pse roli i tij si president nuk ia lejon, Ilir Meta u ka bërë indirekt thirrje qytetarëve të votojnë opozitën në zgjedhjet e 25 prillit.


    Kreu i shtetit deklaroi gjatë një interviste për news 24 se vendi ka nevojë për një përmbysje të madhe dhe jo vetëm rotacion politik.

    “Për mua nuk është më i rëndësishëm rotacioni, sepse ai do të thotë më shumë ndryshim raportesh në qeverisjen e vendit. Vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë, e them shpesh koha e ndryshimit ka ikur që prej katër vitesh. Këto katër vite, që kemi kaluar kanë folur për një përkeqësim të rëndë të situatës, në funksionimin e shtetit të së drejtës. Kemi parë një përkeqësim të situatës ekonomike dhe sociale, që përpara se të ndodhte pandemia. Ka një rritje të polarizimit shoqëror në vend. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të borxhit. Ndërkohë kemi një rënie të ndjeshme të ardhurave për qytetarët shqiptarë, që do të thotë se ky borxh që është marrë ngrihet në nivele shumë të larta dhe nuk ka shërbyer as për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe as për të luftuar varfërinë. Ky borxh ka shkuar në interes të grupeve të përzgjedhura të sipërmarrësve, të cilët kanë vazhduar të fitojnë koncesione tepër të dyshimta. Në këtë drejtim, jemi në një situatë ku vetë mosçelja e negociatave me Bashkimin Europian tashmë për një kohë të gjatë, tregon për krizën, jo thjesht për stanjiacionin. Është momenti për një ndryshim të fortë dhe të qartë të vendit, që do përcaktojë një rrugë të qartë europiane, dhe kjo arrihet vetëm përmes një ndryshimi. Për mua si President, është e rëndësishme që i gjithë populli shqiptar ta vlerësojë si një referendum 25 prillin, për të ardhmen e tij europiane, që është vënë në diskutim tepër serioz.”, deklaroi presidenti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!