×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta kthen “vettingun” në Polici: Mund të përdoret për të shantazhuar forcat policore

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 14:35

    Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Vetting-un në Policinë e Shtetit.


    Në argumentet ligjore për kthimin e ligjit, Kreu i shtetit thekson se ato evidentojnë sipas tij, papërgjegjshmërinë e procesit legjislativ dhe evidentojnë falsifikimet që bëhen me nismat, që depozitohen në Kuvend.

    Sipas Presidentit Meta, “kjo është ndërhyrja e 3 (tretë) që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018 – 8 mars 2021)”.

    Ndaj dhe Kreu i Shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetting-ut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar, ose të pranojnë qëllimin politik për të mbajtur nën presion të vazhdueshëm efektivët e policisë.

    Meta thekson se kjo nismë ligjore ndonëse është propozim i një grupi deputetësh, në fakt, në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, projektligjin e ka prezantuar dhe e ka mbrojtur Zëvendësministri i Brendshëm, që ka mbajtur të njëjtin qëndrim “copy-paste”, pa ndryshuar as presjen, nga relacioni i nënshkruar nga deputetët nismëtarë.

    Nisur nga këto argumente, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.”

    Madje, sipas Presidentit, “këto veprime praktikisht mund të konsiderohen edhe falsifikim të vullnetit në propozimin e nismave ligjore”.

    Meta evidenton se nisma jo vetëm shkel nenin 82, të Kushtetutës, pasi shtyn pa afat duke e pezulluar procesin e vettingut për një pjesë të trupës policore, por shkakton edhe një efekt negativ financiar në Buxhetin e Shtetit, pa marrë as miratimin e Këshillit të Ministrave siç kërkon Kushtetuta në këto raste.

    Megjithatë, përtej shqetësimeve mbi gjendjen e procesit legjislativ në vend, në prag të një Kuvendi që pritet të riformatohet shumë shpejt në zgjedhjet e afërta të 25 prillit 2021, Presidenti ka ngritur shqetësimin për faktin se, ndryshimet e bëra me këtë ligj, po fusin në tërësi procesin vetting, në vazhdën e “pezullimit” pa afat, por edhe dosjet që janë në proces vlerësimi i pezullon, duke krijuar kështu: “një situatë pasigurie të rëndë juridike për gjithë subjektet që e kanë nisur këtë proces, apo që do mbeten në pritje për t`iu nënshtruar atij”.

    “Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), apo pezullimi pa afat i vet procesit krijon terren që ky vlerësimi kalimtar (vetting-u) të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, ç’ka mund të sjellë një situatë shqetësuese, paqëndrueshmërie dhe destabilizuese në këtë strukturë.”, – argumenton gjihashtu Kreu i Shtetit në dekretin e tij.

    Presidenti Meta citon gjithashtu se kjo nisëm ligjore bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!