×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mjeku imunolog: 90% e popullsisë shqiptare, e paprekur nga coronavirusi

    Reporteri
    25 Maj 2020 | 14:23

    Mjeku imunolog, Dr. Genc Sulçebe, deklaroi sot se rreth 90% e popullatës së vendit tonë nuk është prekur nga Covid-19.


    “Perspektiva duket e mirë, pasi edhe muajt e verës i bëjnë kushtet e disfavorshme për përhapjen e virusit. Jemi në situatë optimiste, por gjithmonë duhet ruajtur kujdesi dhe gadishmëria. Rreth 90% e popullatës nuk ka rënë në kontakt me infeksionin, pra nuk është imune. Kjo shifër ishte e pritshme nga masat e forta shtrënguese dhe të shpejta që u morën te ne. Nga ana tjetër, kjo ka rrezikshmërinë e vet pasi këta persona mund të infektohen më vonë, por virusi tani e ka humbur rrezikshmërinë. Tani kërkohet ndërgjegjësim më i madh i popullatës, pasi me rifillimin e stinës së ftohtë mund të kthehet sërish koronavirusi”, u shpreh Sulçebe ne a2.

    Sipas doktorit, “vaksina po përparon me ritme të shpejta dhe është e pritshme që në fund të vitit do të jetë gati”. Gjithashtu, Sulçebe thekson se nëse kjo gjë do të ndodhë, ajo do të shpërndahet njësoj në të gjitha vendet e botës dhe do të jetë e aksesueshme nga të gjithë.

    “Pa dyshim që do të jetë falas apo me çmim shumë të ulët edhe në vendin tonë. Mendoj se fillimisht duhet ta bëjnë individët më të rrezikuar: ata mbi moshën 50 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Unë e shikoj me optimizëm përdorimin global të vaksinës, pasi të gjitha vendet janë të interesuara për eliminimin e pandemisë”, tha Sulçebe.

    Në fund, mjeku imunolog dha një këshillë për qytetarët: “Mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura është mjeti më efikas për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur të tjerët”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!